Është zbardhur dokumenti i ankimimit që mjeku Edvin Prifti, ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Mjeku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Gjithashtu, mjeku kërkon kthimin e parave të sekuestruara, me argumentin se ato nuk kanë lidhje me veprat penale, por sipas tij janë kursime familjare.
Në ankimimin e dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit, mjeku Prifti kërkon që t’i hiqet pezullimi nga detyra, në pezullim nga detyra vetëm për spitalet shtetërore.
Kujtomë që; Mjeku Edvin Prifti, u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, por sot avokatët kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij.
Ai u përfshi në çështjen e korrupsionit në Gjykatën e Krujës, pasi mori ryshfet për të bërë operacion pa radhë nënën e kryesekretares gjyqësore, Emanuela Mallkuçi. SPAK, po përgjonte Mallkuçin ndërkohë që u zbulua edhe korrupsioni i mjekut Edvin Prifti.
SPAK, është duke kryer hetime të tjera për mjekun pasi janë sekuestruar disa shënime në zyrën e tij. Gjithashtu do të kalojnë në sitë edhe llogaritë bankare, pas akuzës për pastrim parash. Mjekut të njohur iu gjetën në banesë dhe në zyrë 250 mijë euro dhe 160 milion lekë të vjetra.