Ndëshkohen me masë administrative 997 qytetarë që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 24 orëve të fundit.
983 prej tyre janë ndëshkuar me masën 3.000 lekë, për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit .
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 833 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 11 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.