Kandidatja për deputete e PD-së Grida Duma ka deklaruar sot nga Durrësi se nuk mund të ndodhte kurrë që ajo të ishte në PS, jo vetëm për shkak të bindjeve, por edhe të cilësive të Lulzim Bashës si lider dhe njeri.
Grida Duma rrëfen se gjatë 11 viteve rrugëtimi profesional ka vënë re respektin absolut me të cilin Lulzim Basha sillet me gratë dhe jo vetëm.
‘Por sepse nuk besoj do ta ndërroja kurrë një individ, një njeri, nuk dua të them kryetarin e PD, një njeri si Lulzim Basha, me të cilin 11 vite në rrugëtim profesional, kam parë se si jo vetëm ndaj meje, por ndaj çdo individi tjetër, është njeriu që njeh respektin absolut.
Që do të thotë në korridorin e asaj që quhet seli partie apo ministrie nuk kemi dëgjuar një herë të vetme të mos thotë një grua, sa është xhentëllmen, sa i fisshëm, edhe këtë nuk e them për kompliment. Sot është dita dhe nuk kam arsye pse mos ta them. Duhet t’i japësh gruas respektin dhe ndjesinë e një qenie që sjell jetën’, u shpreh Duma në fjalën e saj.
Deklaratat e Grida Dumës vijnë pas fotos së publikuar nga kryeministri Edi Rama, ku kandidatja për deputete e PD-së shfaqet duke bërtitur me mikrofon në dorë, e cila u konsiderua si e papërshtatshme dhe seksiste nga opinioni publik.