Kandidati i PD për Qarkun e Tiranës, Agron Shehaj reagoi ndaj qendrimeve të kryesuese së listës së PS, Luljeta Bozo sipas të cilës regjimi i Enver Hoxhës “ka më shumë anë pozitive sesa negative”.
Shehaj u shpreh se qendrimet e Bozos janë të rrezikshme.
“Kam hezituar të flas për vlerësimin e Enver Hoxhës nga Luljeta Bozo, kryesueses socialiste për Tiranën, për të mos u dhënë rëndësi fjalëve të saj. Por mungesa e reagimit e shumë prej atyre që duhet të kishin reaguar, më bën të mos hesht. Fatkeqësisht, krimet e regjimit komunist nuk u denoncuan dhe dënuan asnjëherë siç do duhej. Për shqiptarët, që u vranë dhe u përndoqën nga regjimi nuk ka ende drejtësi. Historia mbi regjimin kriminal komunist nuk është shkruar dhe nuk studiohet ende në shkolla. Në këtë boshllëk të pafalshëm, deklarata si të zonjës Bozo janë të rrezikshme, sepse krijojnë përshtypjen, sidomos tek të rinjtë, se regjimi i Enver Hoxhës ishte normal”, tha Shehaj. Në reagimin e tij, Shehaj fton të gjithë të ndjekin arkivën onlinë të krimeve të komunizmit për të mësuar mbi aktivitetin kriminal të ish diktatorit.”