Mësuesit: Kemi frikë nga vaksina, por nuk flasim se na pushojnë nga puna…

0
84
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vaksinimi në Shqipëri, nisi mes refuzimit dhe një entuziazmi të përmbajtur i mësuesve në Kryeqytet dhe qytete të tjera me vaksinën Astra Zeneca. Një pjesë jo e vogël e mësuesve, refuzuan ta merrnin këtë vaksinë, ndërsa një pjesë tjetër pohonin jashtë kamerave pasigurinë dhe frikën e tyre për pasojat e saj.

Vendimet e disa shteteve europiane për pezullimin e vaksinës Astra Zeneca, nuk e frenuan nisjen e vaksinimit të mësuesve në qytetet kryesore të Shqipërisë me këtë vaksinë. Në shkollat Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi dhe 4 dëshmorët, u hapën qendrat e vaksinimit, të cilat u bënë mikpritëse edhe për gjithë shkollat e tjera.

Mësuesit vinin grupe grupe sipas një kalendari të përcaktuar, së bashku me drejtuesit e shkollave, një pjesë nuk paraqiteshin pranë këtyre qendrave, ndërsa një pjesë tjetër edhe pse kishin ardhur aty, refuzuan me shkrim ta marrnin vaksinën Astra Zeneca.

Jashtë kamerave, mësuesit pohuan për gazetarët frikën dhe pasigurinë e tyre ndaj vaksinës Astra Zeneca, një pjesë tjetër ishin shumë entuziastë, por asnjë grup dhe as tjetri nuk pranonin të flisnin para mikrofonit, duke shmangur identifikimin e tyre në publik, për të larguar, siç pohonin, ndonjë masë administrative ndaj tyre.

Një pjesë tjetër e mësuesve vazhdonin në heshtje vaksinimin, duke mbajtur shpresa të mëdha tek shkencëtarët në këtë periudhë pandemie. Drejtuesit e shkollave, pohonin s’e një pjesë e mësuesve kishin refuzuar të merrnin vaksinën Astra Zeneca, për arsye të ndryshme dhe se kjo ishte e drejta e tyre.

Një drejtuese e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, tha s’e procesi i vaksinimit ka ecur normalisht, ndërsa për refuzimet shtoi se ishin thjesht shtyrje datash për arsye shëndetësore.

Vaksinimi i mësuesve, nisi në mëngjes në Gjirokastër, ku sërish arsimtarët paraqisteshin sipas një kalendari të hartuar më parë dhe një pjesë refuzonin ta merrnin vaksinën ose prej frikës, ose për arsye shëndetësore. Drejtuesit e shkollave dhe shëndetësisë në Gjirokastër, pohuan se gjithë mësuesit janë informuar maksimalisht për vaksinën dhe pjesëmarrja në proces është e madhe, ndërsa vendimi për t’u përfshirë ose jo në të është personal..

Në Shkodër vaksinimi i mësuesve nisi pasdite, pasi përfundoi procesi mësimor, ku edhe atje ishte sërish e njëjta pamje. Në qendrën sportive, ku është vendosur më herët baza e vaksinimit u paraqitën mësuesit dhe drejtorëte shkollave, të cilët pasi plotësonin formularët, merrnin vaksinën dhe një pjesë refuzuan, duke mos ardhur ose duke shkruar në tabelë arsyet e refuzimit.

Pas mjekëve dhe pensionistëve, mësuesit janë grupi i tretë që po nisin vaksinimin në Shqipëri. Një pjesë e madhe e tyre u infektuan gjatë këtij viti, ndërsa procesi mësimor vazhdon online përmes internetit.

Vendimet e disa shteteve, për të pezulluar përdorimin e vaksinës Astra Zeneca shtuan hezitimin e qytetarëve për ta marrë atë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ndoqën nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në qytetin e Durrësit. Zoti Rama tha s’e procesi i vaksinimit me AstraZeneca, po vijon në shumë vende të tjera.

Në Shqipëri, kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim. Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

Në të gjithë Shqipërinë, janë 41 shkolla deri tani, ku është hapur procesi i vaksinimit. Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit, po vlerësojnë situatën hap pas hapi. Deri tani, janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

 

Zjarr Tv Ad