Edi Rama elozhe qeverisjes 7-vjeçare për arritjet në fushën e shërbimeve online: Revolucioni ynë digjital i ka kursyer shqiptarëve 300 vjet radhë…

0
57
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ditën e sotme, Kryeministri Rama gjatë komunikimit me qytetarët, është ndalur tek arritjet e qeverisjes 7-vjeçare, në fushën e shërbimeve online. Rama me superlativa i ka thurrur elozhe asaj që ai e quan revolucioni digjital, i cili sipas tij i ka kursyer shqiptarëve 300 vite pritje në radhë.

Nuk dihet ende studimi që Kryeministri, ka bërë për të arritur në këtë shifër, por në pamje të parë ajo duket e pabesueshme.

Duke filluar nga certifikatat online dhe deri tek lejet e daljes në e-Albania, Rama rreshtoi në fjalën e tij lehtësirat që janë krijuar, si pasojë e shërbimeve online.

I dëgjoj pa pushim, sepse ndjek me vëmendje sa herë që jam në makinë kryesisht, por edhe në ndonjë moment kur kam pak kohë të lirë komentet tuaja, reagimet tuaja në faqet e mia sociale dhe padiskutim edhe opinionet tuaja në fokusgrupet dhe anketimet tona të opinionit publik.

E ndesh shpesh pakënaqësinë tuaj, padurimin tuaj, ndjenjën e mungesës së një optimizmi për atë që vjen, por nga ana tjetër kam përshtypjen, përshtypjen e plotë, bindëse se kur me shumë të drejtë padiskutim, ju kërkoni më shumë, ju doni më shumë, patjetër meritoni më shumë, harroni se nga jemi nisur.
Harroni se sa shumë është bërë në çdo drejtim dhe sa shumë gjërat kanë ndryshuar. Madje kam përshtypjen se gjërat kanë ndryshuar kaq shumë sa që një e shkuar shumë e aftërt, shumëkujt i ngjan një histori shumë e largët.

Por nuk ishte 70 vjet më parë, nuk ishte as 27 vjet më parë, ishte vetëm deri 7 vjet më parë koha kur të gjithë ju, çdonjëri prej jush për të marrë një copë letër çfarëdoqoftë që nga një certifikatë e zakonshme familjare te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në radhë, apo e keni harruar. Kujtohuni, kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.

Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.
A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje – shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.

Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.
A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.

Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh.
Kjo ishte e gjithë çka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sporteleve të zymtë ku një dorë zgjatej e tërhiqej, zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm.

Shko atje, ik atje, shko andej, dil andej, ik prapë, kthehu dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjet tuaja zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që iu thoshte: ik plotësoje, ik, shko.
E pra deri 7 vjet më parë. Po sot?

Natyrisht ka ende sot, jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por faktikisht, kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë të shkojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj.

Natyrisht që e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin.
Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.

1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh.
95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë.

Revolucioni ynë digjital i ka kursyer qytetarëve shqiptarë 300 vjet pritje në radhë“, shprehet Rama.

Zjarr Tv Ad