Mbrëmjen e djeshme, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka deklaruar se nuk ka qenë e nevojshme zëvëndësimi i kontrollorëve shqiptarë, nga ata turq dhe grekë në Rinas.
Balluku tha se u është drejtuar disa agjencive në rajon dhe EuroControl, për kontrollorë të huaj pas situatës së krijuar, por nuk qe e nevojshme pasi u rikthyen në punë disa nga kontrollorët shqiptarë.
“Trafiku ajror ofrohet nga kontrollorët e trafikut ajror shqiptar. U jemi drejtuar disa agjencive në rajon edhe EuroControl kemi marrë përgjigje pozitive. Nuk ka qenë i nevojshëm operacioni nga ana e tyre pasi janë kthyer tanët. Ata shprehën gatishmëri po nuk ishte nevoja. Nuk do të paguheshin, bëhej fjalë për një mbështetje nga dy agjencitë e trafikut ajror. Është një moment i vështirë në të gjithë botën sa i përket trafikut ajror. Është një efekt i krijuar në të gjithë botën,” u shpreh Ministrja.
E pyetur për një plan B për këtë situatë Balluku sqaroi: “Aviacioni Civil nuk sanksionohet as nga qeveria e Shqipërisë, e Italisë apo Gjermanisë. Asnjë qeveri nuk ka lidhje me aviacionin, aplikohen rregulla ndërkombëtare. Nëse ka një sektor që ka plane kontigjence është aviacioni. Ka plane kontigjence, ka plane B, C, D dhe E. Ky rast është i paprecedentë sepse nuk i lejohet është i ndaluar në Kodin e Punës. I ndalohet trafikut ajror që të bëjë grevë”.
Gjithashtu, Ministrja theksoi se fakti që janë publikuar në media mesazhet e kontrollorëve, është një gabim i madh. Ndërsa më tej, theksoi se greva ka qënë e planifikuar, pasi nuk mund të ndodhë që 38 veta, të sëmuren në të njëjtën kohë.
“Ka edhe fakte që ndihem keq që janë bërë publike. Fakti që janë duke dalë mesazhet mes tyre është gabim shumë i madh. Ka interes të madh ndaj ka edhe këtë lloj rrjedhje nuk shoh etikë në mes dhe është gabim. Është e organizuar që këtu nuk bëhet fjalë për njerëz që u sëmurën në të njëjtin sekond 38 veta. I ktheu në një grup tregtarësh. Unë kam punuar me ta 6 vite dhe kontrollorët nuk janë këta që u shfaqën,” tha Balluku.