Ish-minsitrja e Arsimit Besa Shahini, lajmëron se të dielën do të vijë në Tiranë për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, pikërisht partinë së cilës i shërbeu për tre vite, Partisë Socialiste.
“Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende: PS duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë. Por, gjithashtu qëndron se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë”, shkruan Shahini.
Ish-ministrja dha dorëheqjen nga detyra në muajt e fundit të vitit 2020 dhe në vend të saj kryeministri Rama emëroi socialisten Evis Kushi. Më poshtë, Besa Shahini tregon se cilat janë të preferuarat e saj nga radhët e PS.
Shënimi i plotë i Besa Shahinit:
Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende: PS duhet dhe mundet të jetë më e mirë, më e majtë, më e drejtë. Por, gjithashtu qëndron se sot PS vazhdon të jetë opsioni më i mirë për Shqipërinë.
Po të mund të votoja jashtë qarkut tim, do i jepja votën time Lindita Nikollës në Lezhë, e cila reformën në arsim e ka shtyrë përpara me kurajo e shumë sacrifice dhe duke punuar për Lezhën paralelisht, pa u ndalur.
Do të kisha votuar për Milva Ekonomin në Durrës që si deputete u përfshi totalisht në përpjekjet tona për të ndihmuar qytetarët e prekur nga tërmeti, duke kontribuar me punën dhe ekspertizën e saj.
Apo Anila Denajn në Vlorë, e cila me kokë të ftohtë dhe pasion në zemër, drejtoi suksesshëm sfidat marramendëse financiare me të cilat u ballafaquam kur pandemia filloi menjëherë pas tërmetit që shkaktoi dëme mbi 1 miliard Euro.
Do të votoja edhe shumë gra të tjera të cilat kanë treguar qëndrueshmëri, vendosmëri dhe dashuri të madhe për Shqipërinë. Të dashura shoqe, ju uroj sukses të dielën!