Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të Infermierëve, ka falenderuar infermierët dhe të gjitha bluzat e bardha për punën e kryer dhe sakrificën e tyre gjatë pandemisë.
Në Ditën e tyre, Manastirliu u ka dhuruar lule infermierëve në stadiumin “Air Albania”, të cilët vijojnë me procesin e vaksinimit masiv.
“Angazhimi juaj në këtë fushatë të vaksinimit masiv, përpos gjithë punës që ju bëni në qendrat shëndetësore, është me të vërtetë një punë e madhe, e rëndësishme në dobi të shëndetit të popullatës. Ndaj unë sot kam kënaqësinë të jem këtu mes jush dhe nëpërmjet jush, dua të falenderoj të gjithë vaksinatorët tanë, kudo në sistemin tonë shëndetësor, në qendra shëndetësore, në pikat e vaksinimit të përqendruar për punën e madhe dhe gjithë sakrificën që ju keni bërë ditëve të javës, pasditeve, ditëve të shtuna, ditëve të diela, për të mundësuar një vaksinim me ritme të larta të popullatës”, u shpreh Manastirliu.
Ajo u shpreh se ritmet e vaksinimit do vijojnë të shtohen, ndërsa do të ulet fasha e moshës që do të vijojnë të marrin dozën e vaksinës anti-Covid-19.
“Në këto momente, duke qenë dhe përpara sezonit të turizmit, ne do të përpiqemi që, me sasitë e disponueshme të vaksinave që kemi dhe atyre që presim që të na vijnë, të ecim sa më shpejt me ritme të larta për procesin e madh të vaksinimit, i cili do të vijojë edhe me grupe të tjera, sipas planit të vaksinimit të kombinuar. Pra me grupe të tjera të riskuara në shërbimet kritike, por edhe duke ulur fashën e grupmoshës”, deklaroi ministrja Manastirliu.