Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, këtë të martë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Jeruzalem. Zyrtari amerikan në fjalën e tij ka premtuar se Uashingtoni do të grumbullojë mbështetje për rindërtimin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për fuqizimin e armëpushimit midis Hamasit, organizatës islamike që dominon Gazën, dhe Izraelit.
Gjatë vizitës së tij ai është pritur dhe është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe pritet të takohet sot në Ramallah me Presidentin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi, Mahmoud Abbas.
Sekretari Blinken e filloi vizitën e tij në Jeruzalem, ku pati bisedime me Kryeministrin Netanyahu.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të punojnë për të grumbulluar mbështetje ndërkombëtare rreth këtyre përpjekjeve dhe për të dhënë “kontributin e tyre të rëndësishëm”.
“Ne e dimë se për të parandaluar një kthim të dhunës duhet të përdorim hapësirën e krijuar për të trajtuar një grup më të madh çështjesh dhe sfidash të cilat qëndrojnë prapa saj. Dhe kjo fillon me trajtimin e situatës së rëndë humanitare në Gazë dhe me fillimin e rindërtimit. Ne do të punojmë nga afër me të gjithë partnerët tanë, për të garantuar se Hamasi nuk do të përfitojë nga ndihma e rindërtimit,” ka thënë Blinken.
Nga ana tjetër udhëheqësi izraelit, Benjamin Netanyahu, duke folur në krah të diplomatit të lartë amerikan, kërcënoi për një “kundërpërgjigje shumë të fuqishme” nëse Hamasi rifillon sulmet me raketa.