Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidenti Ilir Meta sapo ka miratuar raportin final dhe do t’ia dërgojë atë Kuvendit të Shqipërisë, për ta futur në seancë plenare. Kryetari Alket Hyseni kërkon nga deputetët që Ilir Meta të shkarkohet nga detyra.
Sipas raportit voluminoz prej më shumë se 50 faqe, të cilin e lexoi Hyseni, Presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit janë shprehur pro raportit final.
Kur raporti të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve, raporti për Metën do të kalohet në rend dite dhe nëse shumica e deputetëve votojnë PRO, Presidenti i Republikës shkarkohet nga detyra. Verdiktin përfundimtar më pas e jep dhe Gjykata Kushtetuese.
Më datë 10 qershor deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të votojnë raportin hetimor të hartuar nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta. Po në këtë seancë, ligjvënësit shqiptarë do të votojnë dhe për shkarkimin e Presidentit.
“Presidenti nuk duhet të bëjë pjesë në asnjë parti politike, presidenti duhet të jetë uniteti por edhe duhet të shihet dhe perceptohet nga i gjithë populli si neutral. Sjellja e Presidentit duhet të përcaktohet si rol ekuilibrues në jetën politikë të vendit dhe nuk përfshihet në lojën e përditshme politike.
Kryetari i shtetit nuk duhet të mbështesë forca të caktuar apo t’i kundërvihet forcave të ndryshme politike. Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij. Edhe ODIHR shkruan se Meta mban një marrëdhënie kritike dhe të ashpër ndaj qeverisë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese edhe të nxehta. Në kapacitetin e tij ai bëri fushatë kundër partisë në pushtet”, citoi ndër të tjera nga raporti Alket Hyseni.