Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, së fundmi ka thënë se për të mbaruar pandemia e Covid-19, atëhere do të duhet të paktën 70 përqind e popullatës të vaksinohet. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve të përshpejtojnë vaksinimit dhe të jenë të kujdesshëm, teksa lehtësojnë masat kufizuese.
“Mos mendoni se pandemia ka mbaruar. Pandemia do të ndalet vetëm kur të paktën 70 për qind e popullsisë të vaksinohen”, tha ai në një intervistë për AFP në Kopenhagë, duke shprehur keqardhje për “vaksinimin ende shumë të ngadaltë në të gjithë botën, përfshirë në Evropë. Kluge gjithashtu shprehu shqetësimin se “njerëzit janë më pak të kujdesshëm dhe bëhen të paarsyeshëm dhe mendojnë se pandemia është ndalur, sepse ata morën dozën e parë dhe madje edhe të dytë të vaksinës”.
Deri më tani në 53 territore, aq sa ka rajoni evropian sipas kritereve të OBSH-së, vetëm 26 për qind e popullsisë kanë marrë dozën e tyre të vaksinës anti-Covid.
Ndërsa, në Bashkimin Evropian, 36.6 për qind e popullsisë morën të paktën një dozë, sipas të dhënave të AFP, dhe 16.9 për qind janë vaksinuar plotësisht. Shqetësimi kryesor tashmë për kontinetin evropian janë shtimi i rasteve me variantet e reja të virusit.
I ashtuquajturi variant Indian, është i pranishëm në 27 nga 53 vendet në zonë, ku numri i infeksioneve dhe vdekjeve të reja ka rënë për të pestën javë me radhë dhe arriti nivelin më të ulët që nga mesi i tetorit. Megjithëse, vaksinat aktualisht veprojnë në mutacione të koronavirusit, kujdesi nuk përjashtohet.