Videot në aplikacionin “Tik-Tok” të kryetares së Gjykatës së Elbasanit, janë kritikuar gjerësisht në rrjetet sociale këto ditë.
Enkeleda Kapedani, shfaqet në ambientet e Gjykatës dhe zyrës së saj, duke pozuar dhe duke treguar veshjet e firmave luksoze. Në një video tjetër, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit. Ndërsa në një postim nga makina, gjyqtarja i drejton kamerës, gishtin e mesit.
Megjithatë, gazetari Milaim Zeka e konsideron të tepërt, gjithë “vrullin e komenteve negative” ndaj saj, duke përdorur si metaforë, kalin. “Edhe kali, kur bie para tij, nuk të shkel. Vetëm shqiptarët i hidhen mbi shpinë një njeriu të rrëzuar. Ajo bëri një veprim që mund ta bënte edhe gruaja ime”, thotë Zeka në “Shqipëria live”.
Sipas tij, edhe reagimi i Ministres së Drejtësisë ishte i tepërt, pasi “nuk reagon në raste serioze, por bëri kaq të madhe video në Tik-Tok”.
Sot, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka dorëzuar në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani, për “dsiskreditim të figurës dhe pozitës e magjistratit”.