Ish-shefi i Policisë së Ulqinit, Rudolf Elezoviç, mund të ketë kaluar nga Shqipëria me dokumente false për t’u arratisur më tej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky është version i fundit i ngjarjes i publikuar nga mediet malazeze.
Elezoviç, që punonte në sektorin kundër trafikut të lëndëve narkotike në kufi, ka humbur çdo kontakt me familjen që nga data 27 maj, dhe mediet vendase shkruajnë se ai mund të jetë arratisur, pasi ka kuptuar që është zbuluar për lidhjet e tij të rëndësishme me trafikun e drogës nga Shqipëria në Evropë.
Oficeri malazez mund të ketë kaluar nga Mali i Zi për në Shqipëri në mënyrë klandestine, ndërsa sipas të përditshmëve malazeze në vendin tonë ai është pajisur me dokumente false dhe është arratisur në një nga shtetet e tjera të botës, ku dyshohet se Shtetet e Bashkuara janë opsioni më i qëndrueshëm.
Për tu pajisur me dokumente të paligjshme Rudolf Elezoviç mund të ketë përdorur lidhjet e tij me një nga grupet kriminale në Shqipëri.
Sipas informacionit jozyrtar nga policia, oficeri i zhdukur ishte një nga të dyshuarit për lidhje me operacionin “Kurthi” si një person i cili u dha organizatave kriminale informacion në lidhje me lëvizjen e policisë, ndërsa kur ai e kuptoi që ishte dekonspiruar u arratis.
Policia e Malit të Zi nuk i është përgjigjur kërkesës së mediave shqiptare për informacione në lidhje me pistat e hetimit, dhe as pyetjeve që kanë lidhje me zhdukjen misterioze të ish-shefit të policisë së Ulqinit, i cili po bashkëpunonte kohët e fundit edhe me policinë shqiptare për të luftuar trafikimin e lëndëve narkotike mes dy shteteve.
Për zhdukjen e policit malazez janë hapur hetime edhe nga prokuroria e Shkodrës pas informacioneve se humbja e kontakteve ka ndodhur në një zonë kufitare me Shqipërinë.