Hedh sytë edhe një herë nga tavolina jote, për të matur distancën e sigurisë nga plumbat dhe e quan veten me fat. Aty vazhdon të jetë një çantë. Është e jotja, nuk e ka marrë askush. Çanta nuk krërcënohet sa jeta në këtë kohë.
TIRANË– Pavarësisht të gjithave, në Atdheun tonë mund të ulesh në një bar, të ndihesh i përkëdhelur nga natyra që lëshon një fllad të lehtë mbi flokët e tu, mbi pendët e pëllumbit që luan me shatërvanin apo mbi trëndafilat shumëngjyrësh që të rrethojnë. Je gati të harrosh, të falësh, të pranosh, të përshtatesh…. Deri kur dikush vendos të të kundërshtojë dhnunshëm, me një buqetë krismash 5 metra larg teje. Je vetëm një qenie e lebetitur, inferiore ndaj shpendit me fat që iku me shpejt dhe më larg, pa kuptuar ç’ndodhi, pa keqardhje për ata që la mbrapa. Pasi paniku i lë vendin frikës së shoqëruar me një traumë të fortë, tenton të bindësh veten që je ende në gjendje të kryesh veprime normale. Kthehesh në vendin ku i plagosuri rëndë është ende duke luftuar për jetën. Lumi i kuq ndan, ti ngjan si Rubikoni që ai ka kaluar për të mos u kthyer më. Hedh sytë edhe një herë nga tavolina jote, për të matur distancën e sigurisë nga plumbat dhe e quan veten me fat. Aty vazhdon të jetë një çantë. Është e jotja, nuk e ka marrë askush. Çanta nuk krcënohet sa jeta në këtë kohë.
Dikur ishte koha e telefonave dhe çantave të mbajtura pa kujdes nëpër tavolina lokalesh. Një djalë me barkun dhe xhepat bosh, i rrembente në vrap e sipër. Drama e humbjes zgjaste disa ditë. Trauma e momentit kur i panjohuri të rrëmbente sendet me vlerë të shoqëronte për shumë kohë. Sot çantat dhe celularët injorohen nëpër tavolina bosh. Ushtarët e krimit hyjnë serbes për të marrë jetën, me lehtësinë e një çante. Ai vegim i frikshëm me buçimën e krismave nuk e ka luksin të zgjasë për shumë kohë, se duhet te jesh gati për rrëmbimin tjetër. Rrëmbimin e jetës që vlen më pak se telefoni dhe çanta. Është koha kur kupton se je përballë një ushtrie që ka pushtuar çdo centimetër të Atdheut dhe çdo qelizë të qetësisë tënde.
Është koha kur kirmi donimon shoqërinë, punëson njerëz, pastron paratë nëpër kulla në mes të qytetit, përpara syve tanë, kontrollon politikën dhe nëpërmjet saj policinë dhe Drejtësinë. Kur paraja e lehtë ka zhvlerësuar çdo përpjekje për punë apo biznes të ndershëm. Vija ndarëse nuk ekziston më,është shkrirë me shtetin, e dominon atë me paratë e paligjshme, bëhet frymëmarrje për ekonominë e degraduar që kontrollohet nga qeveria, bëhet ofertë për të rinjtë që nuk kanë as mjete jetese, as shpresë, as modele të së kundërtës. Ushtarët e krimit janë modelet e rinj, gjeneralët janë pushtetarët e vërtetë. Ata thonë që në Shqipëri nuk kamafia, që atentatetmafioze që mbivendosen çdo ditë nuk janë ashtu siç duken, prandaj nuk jemi Siçilia. Atëherë le të gjejmë një emër tjetër për këtë vend ku kontrollin e ka kirmi. Që të mos prishim emrin e Shqipërisë, nëse do të çlirohet një ditë.