Skandali i Veliajt me tenderin e plehrave, anulohet procedura 5 mln euro…

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Bashkia e Tiranës i ka dhënë tenderin për pastrimin e lotit të dytë të Tiranës kompanisë “KORSEL” pa kryer asnjë verifikim për të. Pas ankimimit të një kompanie tjetër, e cila u skualifikua nga gara, Komisioni i Prokurimit Publik ka zbardhur skandalin dhe anuluar tenderin 5 milion euro. Gjatë kohës që kryheshin hetimet për kompaninë “Korsel”, Veliaj nënshkroi një shtesë kontrate duke i dhënë pa asnjë garë kompanisë 33 milionë lekë nëpërmjet procedurës së negocimit Nga SYRI TV

Komisioni i Prokurimit Publik ka zbuluar një skandal gjigand në tenderin mbi 5 milionë euro të pastrimit të plehrave, të zhvilluar pak javë më parë nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj. Kompania, e cila u shpall fituese nga administrata e bashkisë së Tiranës për lotin II të pastrimit të qytetit, dyshohet se ka depozituar të dhëna të falsifikuara. Për këtë skandal, është vënë në dijeni edhe Bashkia e Veliajt, e cila nuk ka kryer asnjë verifikim. Për më tepër, Veliaj dhe vartësit e tij kanë tentuar të vijojë procedurën, e cila më pas është pezulluar dhe më tej anuluar plotësisht nga Komisioni i Prokurimit Publik. Në Dhjetor 2020, Bashkia e Tiranës shpalli tenderin për pastrimin e Zonës Tirana II, me fond limit rreth 550 milionë lekë të reja, ose rreth 5 milion euro. Në tenderin, i cili u mbyll në Janar të këtij viti, rezultoi se morën pjesë 5 kompani, nga të cilat vetëm dy u kualifikuan. Konkretisht, “Korsel” shpk dhe “Fusha” shpk.

Një prej operatorëve të skualifikuar kundërshtoi vendimin e Bashkisë së Tiranës. Sipas ankesës së drejtuar në zyrat e Veliajt, kjo kompani ngrinte dy argumenta kryesore.

Së pari, ajo vetë plotësonte të gjithë kriteret dhe ishte skualifikuar padrejtësisht. Së dyti, kompania “Korsel”, e cila ishte fituesja e mundshme e këtij tenderi, kishte depozituar të dhëna të rreme mbi kapacitetet e makinerive, duke vënë në dispozicion të zyrave të Veliajt edhe dokumentacionin përkatës. Bashkia e Tiranës e rrëzoi ankimin dhe kompania iu drejtua Komisionit të Prokurimit Publik. Shkalla e dytë e vlerësimit të tenderave, pasi mori ankimin dhe dokumentacionin, vendosi në Mars 2021, që të pezullonte përkohësisht procedurën e tenderit.

Komisioni i Prokurimit Publik angazhoi kanalet diplomatike, përfshirë Ministrinë e Jashtme dhe ambasadës Shqiptare në Rumani, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi mjetet që shoqëria “Korsel” kishte marrë me qera në një kompani në atë vend. Ndërkohë që KPP po kryente verifikimet dhe kishte pezulluar tenderin për pastrimin e zonës II të Tiranës, Bashkia e Veliajt nënshkroi një shtesë kontrate me kompaninë “Korsel”, e cila e kishte pasur më parë në ngarkim shërbimin për atë pjesë të territorit. Kjo shtesë kontrate, e nënshkruar në Mars të këtij viti, ishte rreth 33 milionë lekë të reja dhe iu dha shoqërisë “Korsel”, nëpërmjet procedurës së negocimit, pra pa garë.

Ndërkohë, në Maj 2021, Komisioni i Prokurimit Publik mori përgjigje nga autoritetet rumune. Dokumentat treguar se informacionet e kompania ankuese ishin të sakta dhe se kompania “Korsel” kishte depozituar dokumenta të rreme për makineritë në tenderin 5 milionë euro.

Në këtë situatë, Komisioni i Prokurimit Publik ngarkoi Agjencinë e Prokurimit Publik që të kryej hetim të thelluar mbi këtë skandal. Nga ana tjetër, KPP konstatoi se edhe Bashkia e Tiranës ka vendosur kritere kualifikimi në kundërshtim me përcaktimet ligjore, duke krijuar paqartësi, të cilat cënojnë parime, proporcionaliteti dhe dobishmëria. Për të gjithë problemet e konstatuara, KPP vendosi në përfundim që të anulojë plotësisht tenderin 5 milionë euro dhe të detyrojë Bashkinë e Tiranës të rishpallë procedurën, duke konfirmuar në këtë mënyrë skandalin ku u përfshi edhe zyra e Erion Veliajt, e cila tentoi të nënshkruajë kontratën pa kryer asnjë verifikim.

Zjarr Tv Ad