Dekorohet Bujar Tafaj, “gardiani” i portës së bardhebluve

0
204
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ditën e sotme Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” ish-portierin e ekipit të Tiranës ,Bujar Tafaj

 

Në kryeqytetin e viteve 50-të të shekullit të kaluar, ku luhej aq shumë futboll dhe jehona e Shqipërisë Kampione e Ballkanit më 1946 nuk ishte shuar ende, jeta e Bujar Tafajt, këtij përfaqësuesi të një prej familjeve më të hershme tiranse, nuk kishte si të bënte përjashtim nga ajo e bashkëmoshatarëve.

Pra, do të niste atje, me shokët pas rendjes së një topi prej lecke, nëpër rrugicat me kalldrëm të mëhallës. Më pas do të vijonte mes britmave gazmore në ndeshje apo “spito” (si i quanin në atë kohë) me dy porta të vogla në oborret e shkollave “4 Dëshmorët”, “Misto Mame”, “Kongresi i Përmetit” e “Siri Kodra” mes të cilave ndodhej shtëpia e tij.

Fillimisht si të gjithë donte ta mbante topin nëpër këmbë, të driblonte shokët dhe natyrisht të shënonte gola. Por, një ditë papritmas u gjend mes dy gurëve të portës, ku u shqua për pritje të guximshme dhe reflekse të mirëfillta. Ç‘ka bëri që në ndeshjet e ardhshme, shokët t’i kërkonin me ngulm të ruante portën. Dhe ai nuk ua prishi, pa i shkuar aspak nëpër mend, që nga ai çast e ardhmja e tij në lojën e futbollit do të ishte përfundimisht aty, mes kuadratit të portës.

Madje, këtë gjë ia ngulitën e ia përforcuan edhe më shumë dy trajnerët e tij të parë mjeshtrit Osman Caslli e Remzi Bulku, që e inkuadruan në ekipin e futbollit të Tiranës në vitet 1957 e 1959 në dy spartakiadat e përvitshme kombëtare të pionierëve. Ku sigurisht falë edhe aftësive të portierit 13-vjeçar Bujar Tafaj, ekipi i pionierëve të Tiranës u shpall dy herë radhazi kampion i vendit.

Pas këtyre sukseseve, Bujar Tafaj edhe pse në moshë ende të njomë inkuadrohet në radhët e ekipit e futbollit të të rinjve të Pallatit të Pionierëve të Tiranës.

Dhe syri i “njeriut të sportit” (kështu njihet ndër shokë e miq i paharruari Osman Caslli) kishte qëlluar në shenjë. Me Bujar Tafajn në portë ekipi i të rinjve të “Pallatit të Pionierëve”, dominoi deri në vitin 1963 kampionatin shqiptar të futbollit për të rinj. Kujtojmë që në atë kohë në kampionatin e të rinjve, klubin bardheblu e përfaqësonin dy ekipe “Pallati i Pionierve” dhe “17 Nëntori”.

Fill pas këtij momenti Bujar Tafaj u inkuadrua në ekipin e të rriturve të Tiranës, që drejtohej nga i madhi Myslym Alla. Kanë kaluar vërtet shumë vite, por ajo ditë e largët e atij viti kur, bardheblutë vetëm pak kohë më parë më 8 prill 1963 kishin arritur të fitonin të parin trofe të pas luftës së dytë botërore, Kupën e Shqipërisë, nuk i është shqitur ende nga kujtesa.

… Vërtet ndodhej në Pogradec, por zemra e mendja e tij gjatë gjithë kohës ishin në Tiranë. Koha kaloi shpejt dhe Bujari u gjend sërish atje tek stadiumi i “Qytetit të nxënsave” si quhej në atë kohë sot kompleksi sportiv “Skënder Halili” mes futbollistëve të “Tiranës” së “Artë” të viteve 60-të.

Më 8 qershor 1966, pra 48 vite më parë në “Qemal Stafa” u luajt finalja “Tirana”-“Partizani”, ku pas një loje dramatike fitorja i buzëqeshi Tiranës 2-1(gola të Ishkës e Xhaçkës për bardheblutë dhe Jasharit për të kuqtë). Padyshim, në këtë arritje kontributi i Tafajt ishte shumë i madh.

Kampionati i vitit 1968, për shkak të ndodhive të një viti më parë u zhvillua çuditërisht në periudhën pranverë-vjeshtë. Dhe “gardiani” Bujar Tafaj kontribuoi ndjeshëm në të gjitha ndeshjet, paharruar sigurisht takimin e javës së fundit në Lushnje me “Traktorin” vendas. Një përballje dramatike luajtur më 28 dhjetor 1968, që përfundoi 2-1 me gola të Ishkës e Bytysit për kryeqytetasit dhe Xhoxhit për vendasit, pas të cilit bardheblutë u sollën dashamirësve të tyre në kryeqytet titullin e nëntë.

Në sezonin 1969-1970 rrugëtimi i “Tiranës” drejt titullit të dhjetë kampion është i bukur, spektakolar dhe mjaft i sigurt. Fitoi 19 ndeshje, barazoi 6 dhe humbi vetëm 1, në Tiranë me “Skënderbeun” 0-1, përfundimisht grumbulloi 44 pikë kundrejt 38 të “Partizanit”, që u rendit i dyti. Dhe në këtë titull kontributi i Bujar Tafajt në roje të katërkëndorit bardheblu është jashtëzakonisht i madh. Këtë e dëshmon golaverazhi 56-10 (+46) “Tiranës” vërtet unikal. Pësimi i 10 golave në 26 ndeshje, me mesatare 0,4 % gola për ndeshje flet qartë për këtë dhe dëshmon për formën shumë të mirë sportive që ka treguar në atë periudhë Bujar Tafaj “gardiani” i “Tiranës” së “Artë” të viteve 60-të, që ka mbetur nostalgjike në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta përjetonin.

Bujar Tafaj e ka mbrojtur portën e “Tiranës” edhe në 12 takime ndërkombëtare zyrtare e miqësore në kupat e Ballkanit ndaj ekipeve me emër si “Rapid” i Bukureshtit, “Ceromore” e Varnës (Bullgari), “Beshiktash” i Stambillit etj., në turne miqësor në Algjeri, Rumani etj. Në vitin 1971 ai e ndërpreu aktivitetin sportiv dhe iu përkushtua profesionit të tij të mjeshtrit mekanik në ofiçinën e tregtisë i specializuar edhe me dy vite në nivel universitar.

Por, rruga sportive e Bujar Tafajt nuk është ndalur ende, Në vitet 2000 ai spikat ndër bilardistët më të shquar të vendit, në kampionatet e të cilëve tashmë kryen detyrën e gjyqtarit.

Zjarr Tv Ad