Ambasada Gjermane në Tiranë i bën thirrje Policisë dhe organeve të drejtësisë që të zbardhin menjëherë sulmin që është regjistruar dje në kryeqytet, ku një vajzë anëtare e LGBT është dhunuar nga disa djem.
“Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTIQ mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë. Ne si Ambasadë Gjermane kundërshtojmë me vendosmëri çdo forme të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit”, shkruan Ambasada e Gjermanisë në Tiranë.
Ndërkohë, vetë Aleanca LGBT bën me dije se një anëtare e këtij komuniteti është dhunuar nga 10 djem.
“Në sfondin e deklaratave të rënda homofobike të ditëve të fundit që nxisin dhunë, urrejtje dhe diskriminim, një anëtare e komunitetit Transgjinor në vendin tonë është sulmuar sot (16.06.2021) verbalisht e fizikisht në rrugët e Tiranës. Dhuna ndaj L. 21-vjeçe është dokumentuar me foto, ku duken qartasi shenjat në trupin e saj, të bëra nga 10 djem të keqedukuar, e të nxitur nga dhuna verbale e të ashtuquajturve “profesionistë” nëpër studio televizive dhe në rrjetet sociale! Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm, ne kërkojmë urgjentisht që rasti të zbardhet nga autoritetet dhe të vihen para drejtësisë autorët e dhunës. Ne kërkojmë gjithashtu të ndalet menjëherë gjuha që nxit dhunë dhe urrejtje ndaj komunitetit LGBT, dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse!
Çdo anëtar i komunitetit LGBTI+ ka të drejtë të jetë i lirë në rrugë, shtëpi e në hapësirat publike, ndaj kjo është një ngjarje e trishtueshme dhe alarmante, që kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të duhur në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, dhe në përmbushje të angazhimeve që institucionet kanë marrë përsipër”, thuhet në deklaratën e LGBT.