Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, nëpërmjet një video-mesazhi ka lajmëruar të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit, mund të aplikojnë në portalin “Mësues Për Shqipërinë”, deri në datën 30 Qershor 2021.
Kushi ka lajmëruar edhe disa risi që vijnë këtë vit nëpërmjet Udhëzimit të ri nr. 12, në lidhje me procedurat e emërimit të mësuesve. Këto ndryshime dhe risi vijnë si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme.
“Së pari, përveç kandidatëve të rinj, në portal mund të marrin pjesë edhe mësuesit që janë në sistem, për të patur mundësi për lëvizje paralele jo vetëm në fund të vitit, por për të konkuruar edhe për vendet e lira që krijohen gjatë vitit, pra duke i shfrytëzuar të dyja fazat e konkurimit, edhe me dosje, edhe me testim. Gjithsesi, pavarësisht rezultatit në testim, mësuesi ka të drejte të ruajë vendin e tij aktual të punës”- nënvizon Kushi në video-mesazh.
“Së dyti, si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të sindikatave, ne kemi përfshirë në vlerësim edhe vjetërsinë e punës në mësimdhënie, si pjesë e dosjes, edhe për lëvizjen paralele në fund të vitit, edhe për aplikantët në portal, duke i dhënë kështu më shumë peshë eksperiencës dhe kontributit tuaj” – shton ajo.
Për vlerësimin e mësuesve të sistemit parashkollor që aplikojnë në portal, janë parashikuar që të ngrihen në zyrat arsimore komisione të përbashkëta me njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të patur akoma më shumë transparencë në këtë proces. Udhëzimi ofron mundësi punësimi në arsimin bazë edhe për specialistët e arteve nëse nuk do te ketë mësues në portal për këto lëndë. Duke theksuar se vlerësimi i portalit bazohet pa dyshim në meritokraci dhe transparencë, Ministrja Kushi, bën thirrje që të aplikojnë në Portalin “Mësues për Shqipërinë”.