Pjesë e protestës të organizuar përballë bashkisë së Tiranës për rikthimin e abonesë së ëprgjithshme, kanë qenë edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe të Organizatës Politike të cilët në fjalën e tyre kanë lënë të kuptohet se ndihen të papërfillshëm nga bashkia e Tiranës.
Aktivisti Arlind Qori: Këtu po protestojmë sot për rikthimin e abonesë së përgjithshme, janë 11.200 firma të mbledhura. Nëse do të ishin 11 mijë oligarkë, nëse do të ishin 11 mijë ndërtues menjëherë bashkia do merrte masa, ndërsa për 11 mijë qytetarë nuk duan t’ja dinë.
Qytetarët:
“Unë jam pensionist i pushuar nga puna që prej se kam qenë kryetar i Shoqatës së Minatorëve në Bulqizë.
Më vjen shumë keq se edhe si pensionist kam humbur të drejtat e mia. Unë jam një person që kam marrë pjesë edhe tek levizjet e MJAFT, pa ditur gjë se çfarë qëllimi kishin.
Unë them se e gjithë kjo pjesëmarrje këtu të zgjerohet se mbrojmë vetëm interesat tona. Vetëm sot kam harxhuar 2400 lekë vetëm unë, po aq edhe gruaja.Unë ndërroj 3 autobuza për të shkuar në punë. Tani ecim në këmbë nuk vijmë më me urban”– shpreh njëri prej qytetarëve.
“Për ditët e zeza që po na vijnë, cfarë po bëjnë po mendojnë vetëm për vete. Kërkojmë rikthimin e abonesë dhe të ketë kushte nëpër urbane. Unë ndërroj disa autobuza, është shumë e vështirë të lëviz në këtë vapë.
Duke parë edhe kushtet që ato janë, ka qenë një arsye e domosdoshme për protestë por heqja e abonesë ishte një tjetër arsye e mjaftueshme. Për vete këta lëvizin me makina private, ndërsa për ne nuk duan t’ja dinë”-thanë qytetarët e tjerë.