Nga Petrit Vasili:
Gjykata Kushtetuese t’u thotë “JO” të prerë diplomatëve, kushdo që janë! Gjykata Kushtetuese ka një Kushtetutë të Republikës së Shqipërisë, të shkruar e zeza mbi të bardhë, që i del dhe i tepron, që të marrë vendime të drejta. Kushtetuta i garanton Gjykatës Kushtetuese, pavarësi të plotë në vendimmarrje dhe në shqyrtimin e çështjeve, që i shtrohen përpara.
Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë varësi, as nga partitë politike dhe arsyeja e ekzistencës së saj është që të vigjilojë mbi kushtetueshmërinë e vendimeve, që qeverisja qendrore dhe lokale marrin pavarësisht nga ngjyra e partisë, që i drejton. Asnjë gjyqtar nuk është kurrsesi i partisë dhe ka yll polar vetëm Kushtetutën dhe asnjë program apo statut partie. Por ndërhyrja e vazhdueshme dhe e paligjshme e diplomatëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese është veprimi me skandaloz, që mund të kryhet. Çdo prani e diplomatëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, është e dënueshme dhe e dëmshme.
Reforma në Drejtësi i garanton Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e plotë të saj dhe nuk lejon asnjë hapësirë për ndërhyrje nga kurrrkush dhe aq më pak nga diplomatë të huaj, që nuk gëzojnë as të drejtën me minimale as juridike dhe të asnjë forme tjetër, që të komunikojnë me këtë institucion madhor të sistemit gjyqësor shqiptar. Edhe komunikimi i diplomatëve të huaj me gjoja shkakun e informimit mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi është i pavërtetë dhe fals. Rruga e zbatimit të pavarur të Reformës është e shkruar qartë në Kushtetutë, ku nuk parashikohet as edhe një gërmë, ku të përshkruhet prania e diplomateve apo shteteve të huaja në zbatimin e saj.
Asnjë ambasador shqiptar nëpër botë, as guxon të mendojë e jo më të komunikojë me Gjykatën Kushtetuese të vendit ku ata shërbejnë. Ndaj Gjykata Kushtetuese në respekt të Kushtetutës të refuzoje të tilla takime e komunikime, që vetëm hedhin hije të ërrëta mbi integritetin e saj dhe të vendimeve që ajo merr. Gjykata Kushtetuese është e shqiptarëve sot dhe në jetë të jetëve. Nëpunësit diplomatikë kanë interes parësor dhe të patjetërsueshëm interesin e vendeve të tyre dhe të Kushtetutës së tyre e jo tonës, ndaj edhe do të vijnë e do të ikin pa fund ashtu siç ka ndodhur dhe do të ndodhë. Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj janë shqiptarë dhe të Shqipërisë, ndaj dhe detyrimet juridike, por edhe morale i kanë vetëm ndaj Kushtetutës dhe drejtësisë që jepet në emër të saj dhe të popullit shqiptar.
Diplomatët e huaj, që me çdo shkak të sajuar komunikojnë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë e as nuk kanë guxuar të komunikojnë kurrë as me Gjykatat Kushtetuese të vendeve të tyre, si mundet të komunikojnë me Gjykatën Kushtetuese të një shteti sovran si Shqipëria?! Ndaj Gjykata Kushtetuese t’i thotë një “JO” të madhe këtij komunikimi të dyshimtë dhe të tregojë integritetin e saj me vendimet që do të marrë – dhe jo me takimet me diplomatë. Vetëm vendimet solide, të pavarura dhe të bazuara vetëm në Kushtetutë janë metri i vetëm i matjes së punës së saj dhe këtë presin shqiptarët nga ajo.