Greqia i dhuron Shqipërisë 100 mijë doza vaksinash Astra-Zeneca. Sasia e vaksinave ka mbërritur paraditen e sotme, në Institutin e Shëndetit Publik. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me anë të një statusi në rrjetet sociale.
“100,000 doza të vaksinës AstraZeneca sapo kanë mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik, falë solidaritetit dhe mbështetjes së qeverisë së Republikës së Greqisë për Shqipërinë”, shkruan Manastirliu.
Manastirliu shkruan se janë mbi 1.2 milionë vaksina anticovid, të mbërritura në Shqipëri deri tani.
“1,220,070 vaksina anticovid kanë mbërritur deri tani në vendin tonë. Jemi të vendosur për të vijuar pa u ndalur me planin kombëtar të vaksinimit, derë më derë, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, përmbyll postimin e saj.