“Partia Demokratike, është e gatshme për një reformë të re zgjedhore”, kështu ka deklaruar anëtari i kryesisë së PD, Oerd Bylykbashi.
Në një intervistë për Euronews.al, Bylykbashi, i cili punoi ngushtë me Këshillin Zgjedhor për ndryshimet me konsensus për reformën zgjedhore përpara zgjedhjeve të 25 prillit, tha se një reformë e re do të ketë fokus Kodin Zgjedhor.
Kjo pasi pasi sipas tij problemi lind me mënyrën se si përdoren fondet publike, se si rekrutohet administrata publike me kontrata të përkohshme, se si përdoren tenderët dhe se si përdoret policia.
“Fokusi i reformës zgjedhore do të jetë se si të vendosim një perimetër sanitar, si mund të imunizojmë procesin zgjedhor nga ndërhyrja e paligjshme e shtetit militant”, u shpreh Bylykbashi. Bylykbashi komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për herësin në shpërndarjen e mandateve për deputetë, ku tha se me këtë vendim sistemi zgjedhor është bërë i papërdorshëm.
“Ajo formulë nuk ka hapur listat, përkundrazi tregon që i ka mbyllur edhe më shumë listat”, u shpreh ndër të tjera Bylykbashi, ku shtoi se ky nen është i pazbatueshëm. Deputeti i zgjedhur i PD-së nënvizoi se duhet të krijohet një sistem zgjedhor që prodhon balanca të ndryshme politike.