Është bërë me dije fakti që, nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, janë arrestuar sot nga Policia me urdhër të SPAK dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit.
Operacioni është zhvilluar në ambientet e kësaj Ministrie dhe lidhet me tenderin 25 milion euro të uniformave të Policisë.
Deputeti Myslim Murrizi, ka qenë ai që e ka denoncuar pothuajse në çdo senacë në Kuvend, abuzimin me tenderat e uniformës së Policisë. Ai tre ditë më parë në seancën e fundit të Kuvendit për këtë legjislaturë, i bëri edhe një thirrje SPAK dhe drejtuesit të saj, Arben Krajës që të shikonin tenderin për uniformat e policisë, ku sipas tij kishte 11 milion euro abuzime.
“Meqënëse e nisni nga Lushnja e ftoj SPAK, shife sa ka kushtuar shkolla “Eqerem Shkumbini” zoti Kraja, dy shkolla në Divjakë. Shifi, sfifi, shif tenderin e uniformave të policisë. Janë 11 milion euro abuzime, shifi mirë 580 milion euro të rilindjes urbane se ka bashki që kanë filluar punimin e shesheve që kur keni ardhur në pushtet dhe akoma shkulin shelge dhe mbjellin kumbulla e si kanë mbaruar”, tha Murrizi në Kuvend 3 ditë më parë.
Kujtojmë që deputetët e opozitës parlamentare Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, e kanë kallzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë më 3 gusht të 2020.