Një reagim pa lidhje dhe pa logjikë, e ka konsideruar ish-ministri Ylli Manjani, atë të bërë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila tha dje se abuzimi me tenderat është njëlloj si të vjedhësh taksat e amerikanëve, që vijnë në formën e ndihmave për shqiptarët.
Kim reagoi pas aksionit të SPAK në ministrinë e brendshme, ku u arrestuan 8 zyrtarë të lartë, për tenderin e uniformave të punonjësve të policisë.
“Na vjen mirë të shohim veprimet e SPAK kundër Korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i prokurimeve publike është njësoj si të vjedhësh të gjithë qytetarët, (përfshirë qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve iu japin ndihmë), për të majmur kuletat e vetes ose të “miqve”. Ky është krim,” shkruante dje ambasadorja.
Ndërkohë që Manjani saktëson se çdo para që prokurohet nga entet publike, është para e buxhetit të shtetit, dhe se çdo cent i huaj, tenderohet nga vetë shteti që e ka dhënë atë.
Postimi i plotë i Manjanit:
Për hir të fakteve, çdo qindarkë e prokuruar nga entet publike të Republikës së Shqipërisë, janë para të ekskluzive të buxhetit të shtetit shqiptar.
Pa asnjë dyshim që është kështu!
Asnjë cent parash të huaja, përfshi edhe ato shumë shumë pak dollarë që hyjnë në vend, nuk prokurohen nga entet publike tonat.
Ato dollarë asistence teknike që USA i programon për Shqipërinë i tenderon vete dhe më së shumti ja jep kompanive të konsulencës amerikane.
Edhe paratë e kredive, nëse tenderohen nga ne janë para të buxhetit të shtetit tonë, sepse janë pra të marra borxh.
Llogjikisht abuzimi me tenderat është në dëm direkt të buxhetit të shqiptarëve që kontribojnë direkt për atë buxhet.
Ndaj ajo deklarata, krejt pa lidhje llogjike, e zonjës Kim se “…abuzimi me paratë publike të popullit Shqiptar, është njëkohësisht edhe abuzim ndaj popullit Amerikan…” NUK QËNDRON!
Kur Ambasadorët e USA të bëhen guvernarorë të Shqipërisë, mbase mund të qëndrojnë këto deklarata, përfshi edhe zbatimi i urdhërave të Presidentit të Amerikës.
Për momentin Shqipëria mbetet shtet i pavarur dhe sovran. Këtë gjë e konfirmon vazhdimisht edhe Kryeministri i Shqipërisë.