Sandër Lleshaj mbante detyrën e ministrit të Brendshëm, kur u nënshkrua tenderi për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit, garë që i kushtoi buxhetit të shtetit vlerën e mbi 2.8 miliardë lekësh.
Ish-ministri, Sandër Lleshaj ka folur për herë të parë për këtë çështje, në një intervistë për ABC, ku edhe ka përshëndetur Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për hetimet e zhvilluara.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar,”- tha Sandër Lleshaj për ABC. Ndër të tjera, Lleshaj ka sqaruar edhe njëherë se nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në tenderin e zhvilluar.
“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”.
SPAK firmosi të shtunën urdhër-arrestin për 9 zyrtarë, dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët akuzohet se kanë shkelur barazinë në tenderin e zhvilluar një vit më parë për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë 280 milionë lekë të reja, ose 2.8 miliardë lekë. Tenderi u zhvillua gjatë kohës kur ministër i Brendshëm ishte Sandër Lleshaj, i cili gjithashtu është nën hetim. Ndërsa në pranga ka përfunduar Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Prokurorimeve Publike.