Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti në një takim Ministrin e Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butković, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.
Pas përfundimit të takimit, të dy ministrat, përmes një deklarate të përbashkët për mediat, bënë me dije temat e diskutimit mes tyre duke pasur në fokus rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministrja Balluku tha se diskutoi me homologun kroat lidhur me një sërë çështjesh të cilat prekin të dy vendet. Një vëmendje të veçantë, sqaroi Balluku, ju kushtua projektit të Korridorit Blu, për të cilin Shqipëria ka nisur punën për ta bërë realitet këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore.
“Gjatë këtij takimi ne kemi biseduar për të gjithë hapat, që do hedhim në të ardhmen, duke nisur nga projekti më i rëndësishëm që Shqipëria ka, ndërkohë që Kroacia ka prej vitesh e ka nisur atë projekt dhe është drejt përfundimit, Korridorin Blu, i cili përshkon të gjithë anën e Ballkanit Perëndimor, atë anë që laget nga deti Adriatik dhe Joni duke filluar nga Kroacia dhe duke përfunduar në Greqi. Shqipëria ka një pjesë të rëndësishme të këtij Korridori, ndaj ashtu siç të gjithë janë në dijeni ne kemi nisur punën gjatë vitit të shkuar”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shtoi më tej se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë është i hershëm dhe mes dy vende tona janë një sërë marrëveshjesh të nënshkruara ndër vite.
Nga ana e tij, ministri Oleg Butković e cilësoi takimin si të suksesshëm duke vlerësuar gatishmërinë e palës shqiptare për të bashkëpunuar. “Kemi prekur disa tema të rëndësishme për bashkëpunim dhe për thellim të raporteve tona. Kroacia është e interesuar në të gjitha këto pikat, temat të cilat ne i diskutuam sot siç është Korridori Blu, i cili është shumë i rëndësishëm edhe për ne”, u shpreh Ministri Oleg Butković.
Të dy ministrat diskutuan mes tyre edhe sa i takon rritjes së bashkëpunimit për transportin detar, ajror si dhe atë hekurudhor.