Autoriteti i Mediave Audiovizive ka anuluar procedurën me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit, “Fëmijët dhe Reklamat” në televizione dhe portale”.
Ky është vendimi Nr. 1 që kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka marrë një ditë pasi nisi zyrtarisht detyrën në këtë pozicion.
Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të AMA-s dhe të firmosur nga kryetarja Krasniqi, sqarohet ndër të tjera se “duke mbajtur në konsideratë kërkesat dhe ankesat e ardhura vendosa anulimin e procedurës me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit “Fëmijët dhe reklamat” shpallur publikisht në datën 2 korrik 2021 dhe hapur në datën 12 korrik 2021, ora 11:00”.
Krasniqi ngarkon komisionin për hartimin e dokumenteve dhe ndjekjen e procedurës, për zbatimin e këtij vendimi dhe njoftimin e agjencive të specializuara pjesëmarrëse në procedurë.
Më datë 2 korrik, AMA publikoi ftesë për negociatë dhe procedurën me objekt “Fushatë e informimit, ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit “Fëmijët dhe reklamat”, në televizione dhe portale për një periudhë 90-ditore në 15 portale dhe televizione, me fond limit 24,866,667 lekë pa TVSH.
Sipas shkresës përkatëse, kjo fushatë konsiston në temat e sensibilizimit ndaj ligjit për mbrojtjen e të miturve nga pijet energjike, alkoolike dhe produkteve të tjera; përdorimi i imazhit dhe prezencës së fëmijëve në fushata promovuese si dhe në ndërgjegjësimin e grupeve të mundshme të interesit që kanë si objekt punën me të miturit, dhe në veçanti prindërit.
Një ditë më parë, ishte Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, Vera Bushati që kishte firmosur dhe shpallur procedurën e ftesës për negociatë me portalet dhe televizionet.