Partia Demokratike, ditën e shtunë, do të zgjedhë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, por edhe kryetarin e këtij institucioni, që do të zëvendësojë ish-Presidentin Bujar Nishani. “ABC” ka siguruar listën e plotë me 600 kandidatë, nga të cilët këshilli i ri Kombëtar i PD-së do të ketë 300 anëtarë. Nga anëtarët e rinj që do të zgjidhen, jo më pak se 30% do të jenë femra dhe jo më pak se 15% të rinj deri në 35-vjeç.
Në listë kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së, janë disa emra të njohur si moderatorja Oriela Nebiaj, e cila nuk arriti që të hynte në Parlament, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, regjisori Robert Budina, ish-lojtari i kombëtares Andi Lila, por edhe të rikthyerit Gazment Oketa dhe edhe deputetja Fatjona Dhimitri, e cila theu vendimin e kryetarit Basha, duke hyrë në Parlament. Pavarësisht rivalitetit për postin e kryetarit të PD-së, në listë është edhe Edith Harxhi dhe kritiku Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm i PD-së.
Po garda e vjetër?
Statuti i PD-së parashikon që automatikisht anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së zgjidhen ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit, ish-kryetarët e PD-së, që janë anëtarë të partisë në momentin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Gjithashtu, automatikisht zgjidhen deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë, anëtarët e kolegjit të kryetarëve të partive në degë, kryetarët e bashkive, të këshillave të bashkive dhe qarkut, gjithmonë ata që janë nën siglën e PD-së.
Por si do të zgjidhet kryetari i Këshillit të ri Kombëtar?
“ABC” mëson se në momentin që do të zgjidhet kryetari i ri i Këshillit do të ketë dy kandidatura që do të votohen për të zgjedhur pasuesin e Bujar Nishanit, i cili do të jetë edhe në Kryesi. Ndërkohë që e gjithë kupola e re e PD-së, do të zgjidhet brenda korrikut.