“ABC” ka siguruar dosjen e plotë të skandalit me tenderin e uniformave të policisë së shtetit, për të cilin SPAK-u ka akuzuar deri tani 9 zyrtarë, 8 prej të cilëve janë pas hekurave dhe një në arrest shtëpie. Mes emrave që janë të arrestuar është edhe Edlira Naqellari, ish-drejtoreshë e agjencisë së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
“Edlira Naqellari është liruar nga detyra dhe për këtë arsye nuk qëndron arsyetimi i gjykatës se rrezikohet marrja e provave. Nuk ka rrezik të largohet apo t’ju fshihet hetimeve, është juriste dhe nuk ka pasaportë të vlefshme për t’u larguar jashtë vendit. Ka mamanë e sëmurë me sëmundje të zemrës, diabet dhe me tension.
Edlira Naqellari jeton me motrën që është kryetare gjykate, sapo ka lindur dhe ka nevojë për ndihmë. E hetuara sapo i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ka probleme me tëmthin, apandesitin, ndaj edhe qëndrimi i mëtejshëm në paraburgim do të rrezikonte shëndetin e saj” tha avokati në gjyq.