Dafina Berisha, është shqiptarja e parë me prindër nga Kosova, e cila kandidon në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 26 shtator, për një vend në Parlamentin e Gjermanisë.
21-vjeçarja do të kandidojë nga Partia Social Demokrate (SPD) dhe premton se krahas objektivave të partisë, ajo do të jetë zë i të drejtave të shqiptarëve në parlamentin gjerman.
“Kemi 9 mijë shqiptarë që kanë të drejtë vote në Hamburg dhe prapë se prapë asnjë shqiptar, nuk është pjesë e parlamentit gjerman. Unë dua të jem shqiptarja e parë në Bundestag, për të promovuar edhe të drejtat e shqiptarëve në Bundestag, por edhe të të rinjve”, u shpreh Berisha.
Duke dhënë një intervistë në “Info Magazine”, Dafina Berisha u shpreh kritike për mosorganizimin e shqiptarëve në Gjermani, edhe pse thotë se në numër janë rreth 400 mijë që jetojnë në të gjithë teritorin e këtij shteti.
“Duhet të angazhohemi në politikë, në klube sportive, sepse vetëm kur jemi aktivë mund të ndryshojmë diçka. Të huajt e tjerë, janë shumë të organizuar sesa në shqiptarët. Ka shumë shqiptarë inteligjentë, por duhet angazhuar më shumë në organizim”, shprehet 21-vjeçarja Berisha.