Mediat kanë zbardhur dëshmitë e plota në seancën gjyqësore të 4 personave të arrestuar për “mashtrim kompjuterik” duke vjedhur kështu plot 4 milionë euro nga 9 kompani të ndryshme në SHBA e Filipine.
Personi kryesor në këtë skemë mashtrimi është Donald Anu, i cili i tha gjykatës se erdhi në Shqipëri për vizitë dhe më pas vendosi të hapë biznes.
“Jam konsulent biznesni. Kam ardhur në Shqipëri 2 vite më parë fillimisht për vizitë, por më pas vendosa të bëj biznes. Një miku im më ndihmoi të bëja dokumentat dhe biznesi që unë do të hapja ishte biznes kafeje. Duke qenë se skam patur leje qëndrimi, mora identetin e mikut tim nigerian Ugochukëu Emmanuel Emereibenu. Ai më dha identitetin dhe vijova punën këtu. Më pas do të vinte ai që do të vijonte biznesin. Duke qenë se nuk kisha të drejtë të hapja biznes, thirra dy miqtë shqiptarë Xhentil Kupe dhe Fatbardh Danja të hapnin kompani”, tha ai.
Ndërkohë e arrestuara tjetër nga Kameruni, Maria Goufan ka deklaruar:
‘’Kam ardhur në Shqipëri për të luajtur futboll. Duke qenë se paga nuk më mjaftonte kam filluar punën në Call Center. U njoha me Donald Anu para 2 vitesh dhe s’kam pasur dijeni për aktivitetin e tij. Kam shkuar vetëm një herë në bankë me Xhentil Kupen me qëllim që bisedën që do të bënte me bankën, me punonjës duhet tia përktheja e tia transfmetoja Donaldit se ai nuk di shqip”.
Xhentil Kupe rezulton ndërkohë edhe i arrestuar në 2010 për vjedhje ikonash teksa para togave të zeza ka thënë se “Donaldin e kam njohur përmes motrës së tij, Evelin”. Evelin ndërkohë sipas Prokurorisë është e arrestuara kamerunase Marie Goufan.
I arrestuari tjetër Fatbardh Danja i cili rezulton pronar i “LekliFarm Global Sh.p.k” thotë se këtë kompani e ka hapur për të ndihmuar Donald Anu.
“Jetoj me qira, jam i divorcuar, dhe nuk e kam idenë për çfarë jam këtu. Nuk e kam idenë çfarë do të thotë mashtrim kompjuterik. Hapa kompaninë për të ndihmuar afrikanin”, rrëfeu Danja.