Analizë nga Andi Bushati: Raporti i OSBE-ODIHR në çarkun e ndërkombëtarëve të Tiranës

0
147
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Raporti përfundimtar i OSBE- ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, i cili u publikua për arsye të paqarta me shumë orë vonesë nga sa ishte paralajmëruar, do të kishte qenë katastrofik për çdo lloj pushteti në një regjim demokratik.

Shitblerja masive e votës, fshirja e kufirit midis partisë qeverisëse dhe shtetit, frikësimi i votuesve dhe mbi të gjitha vjedhja e të dhënave të tyre personale, për qëllime elektorale, do të kishin qenë të mjafta për të diskredituar arkitetktët e kësaj katrahure.

Por, fatkeqësisht, ky raport prej 36 faqesh ka një handikap të madh. Ai ndjek traditën e të gjithë të singjashmëve të tij të mëparshëm duke marrë si të mirqenë se Shqipëria ende vazhdon të jetë një demokraci. Pra, në themel të tij qëndron një kredo tashmë e vjetëruar e të gjithë ndërkombëtarëve, që bëjnë pasqyrën e një vendi në tranzicion, i cili mund të bëjë përpara me disa arnime, korrigjime e në rastin më të mirë edhe përmirësime. Dhe kjo duket qartë po ti hedhësh një sy rekomandimeve kryesore që OSBE- ODIHR bëjnë për zgjedhjet e ardhshme. Eshtë interesante që ti shohësh ato, një për një, dhe pasi i ke lexuar të ngresh pyetjen: A është kjo kimioterapia për të vrarë tumorin e manipulimit të zgjedhjeve, apo thjeshtë është një paracetamol sa për të qetësuar dhimbjet?

OSBE ODIHR rekomandon që të ndryshohet kuadri ligjor (sërish e sërish sepse në fakt është ndryshuar pas çdo lloj zgjedhjesh), ai këmbëngul, në parandalimin e çdo lloj presioni mbi zgjedhësit, për identifikimin dhe hetimin penal të matrapazëve të votës, për ruajtjen e të dhënave, personale dhe për monitorim më të reptë të mediave që ato të mund të raportojnë në mënyrë të pavarur.

Po a janë të realizueshme këto?

Natyrisht që jo.

Si mund të hetohen manipuluesit e këtyre zgjedhjeve kur organet e reja të reformës në drejtësi ende tallen me paraardhësit e tyre të katër viteve më parë, që u dëgjuan nga e gjithë bota se ç‘i bënin votuesit? Si mund të identifikohen dhe hetohen hajdutët elektoralë, kur ata i mbron vetë drejtori i përgjigjshën i policisë, që manipuloi publikisht provat dhe shkatërroi hetimet në rastin e incidentit në Elbasan? Si mund të ndalet vjedhja e të dhënave personale kur e Albania i ka kompjuterat të lidhura “on line” me zyrat e PS, dhe kur SPAK as nuk guxon ta hetojë skandalin që e bëri shtypin ndërkombëtar të fliste për përdorimin e metodave të sigurimit të shtetit nga patronazhistët? Si mund të kontrollohet me ligj dhe të mbikëqyret pavarësia e mediave të mëdha që janë kapur me kohë nga pushteti, madje jo vetëm në muajin e fushatës, por që gjatë katër viteve shërbejnë si altoporlantë të tij?

Për ta bërë më të thjeshtë perceptimin mjafton një krahasim i thjeshtë. Merrini vërejtjet dhe rekomandimet e raportit për Shqipërinë, korigjojini në mënyrë perfekte dhe zbatojni në Turqinë e Erdoganit, në Rusinë e Putinit, apo qoftë edhe në Serbinë e Vuçiçit.

A do të kenë efekt? A mund të ekzistojë qoftë edhe një shanc teorik që ato të ndryshojnë rezultatin e paravendosur?

Besoj se këtu nuk ka nevojë për përgjigje.

Në këtë kuptim, dokumenti përfundimtar i OSBE ODIHR-it i ngjan raportit të një prokurori, që i përmend bandës që ishte nisur për të vjedhur një bankë, krimin e shkeljes së vijave të bardha në rrugën që përshkroi për të sosur në destinacion.

As të gjetuarat e tij e aq më pak përfundimet nuk kanë asnjë vlerë pa shtruar pyetjen themelore: për çfarë regjimi po flasim? A u zhvillua kjo garë elektorale në një mjedis me drejtësi të pavarur, me polici jo partiake, me media të lira, me biznese të ndershme qv nuk financojnë fushatën e qeverisë, pasi kanë marrë për katër vite tendera dhe koncesione pa garë?

Pra, ai ishte kjo një betejë e zhvilluar në kushte demokratike?

Raporti i OSBE ODIHR-it nuk e ka ngritur këtë dilemë dhe fakti që nuk ka shtruar pyetjen e duhur e ka shpënë në përfundime të pavlera.

Në këtë kuptim, ai ka bërë të njëjtin gabim dhe ka përdorur të njëjtën mendësi që vazhdojnë për inerci të gjithë ndërkombëtarët që merren me ne. Ata vazhdojnë të besojnë tek fabula e një demokracie jo perfekte që duhet kontrolluar dhe korrigjuar, pa dashur të ndërgjegjësohen se tashmë Shqipëria është një vend anti- demokratik.

Për këtë arsye edhe raporti përfundimtar mbi zgjedhjet e 25 prillit duket shumë i ashpër me standardin që kanë në kokë hartuesit e tij, por fare qesharak kur krahasohet me realitetin e hidhur të gjërave.

 

Zjarr Tv Ad