Nga Ermal Mulosmani
Raporti i fundit i OSBE-së për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri dhe komentet e të dyja palëve mbi të më sollën në mendje kujtimet e Mero Bazes për të shkuarën e këtij misioni në Shqipëri. Në librin e tij të mrekullueshëm “Përballja me Antiopozitarizmin”, gazetari i njohur përmend detaje mjaft interesante që ilustrojnë bashkëpunimin e plotë të misionit të OSBE-së me pushtetin socialist të kohës.
Ishin zgjedhjet lokale të tetorit vitit 2000, pra ishim tre vjet pas krizës së vitit 97. Ambasador i OSBE-së ishte gjermani Geert Ahrens.
Situata ishte e tillë: Në nëntor të vitit ’98 ( dy vjet para zgjedhjeve në fjalë) ishte mbajtur Referendum për Kushtetutën. Në atë Referendum, udhëheqësit opozitarë bënë thirrje për bojkot me shpresën e mosmiratimit të saj pasi e quanin të njëanshme. Në përfundim Kushtetuta mirtohet me më shumë se 50% të votuesve. Mirëpo kjo nuk ishte e vetmja humbje e PD-së së asaj kohe. Bojkotuesit e Referendumit ishin një bazë e mirë të dhënash për identifikimin e kundërshtarëve të pushtetit. Pak a shumë si zgjedhjet lokale të vitit 2019. Ndoshta atëherë nuk kishte Patronazhistë që të evidentonin përkatësinë e 900 mijë votuesve potencialë por mjaftonin disa mijëra që të ndryshonin rezultatin.
Ja si e përshkruan Mero Baze këtë fenomen në librin e tij.
“Në të vërtetë, qysh më 10 shtator, kisha parandjerë rrezikun dhe në një editorial të gazetës “TemA” paralajmërova se qeveria shqiptare kishte arritur të identifikonte përkatësinë politike të trupës zgjedhore në Shqipëri, duke analizuar listat e votuesve për Kushtetutën e vitit 1998 dhe po e përdorte këtë analizë për të spostuar nga listat të gjithë njerëzit që besohej se do të votonin për opozitën. Nga vëzhgimet e fundit, të bëra orë pas ore në listat e publikuara nga qeveria shqiptare për zgjedhjet, kuptohej se shumica e njerëzve që nuk kishin marrë pjesë në referendum, thuajse nuk ishin përfshirë fare në listat e zgjedhësve. Aq e qartë ishte linja e ndjekur nga qeveria dhe Shërbimi Informativ në këtë pikë, sa në disa raste ishte përjashtuar nga listat djali, nusja dhe fëmijët dhe ishin futur vetëm dy pleq, me idenë se këta ishin me Partinë Socialiste.”
Ky shqetësim i ngritur nga gazetari, 20 ditë përpara zgjedhjeve, kishte zgjuar reagimnin e misionit të OSBE-së në Tiranë: Ja se ç’ shkruan Baze:
“Ambasadori i OSBE në Tiranë, Gert Ahrens, bëri një lëvizje taktike që e vuri disi në gjumë opozitën. Ai deklaroi se askush nuk do të largohet nga kutitë e votimit, pa votuar.”
Mirëpo kjo deklaratë e Ambasadorit nuk është se u besua plotësisht. Për të dëshmuar kompromentimin e Misionit të OSBE-së dhe bërjen e tij një me pushtetin e kohës, gazetari përdori një truk:
“OSBE në Tiranë dukej se e kishte të qartë atë që po ndodhte. Të premten, ditën e fundit të fushatës elektorale në Tiranë, kontaktuam nga redaksia me Xhovani Portën, një zëdhënës italian i OSBE në Tiranë. E pyetëm kur do të dilnin listat, pasi qeveria kishte premtuar si afat të fundit pas disa shtyrjesh ditën e premte. Porta nuk na u përgjigj. Atëherë vendosëm të bënim një dredhi. Një gazetar ndryshoi adresën dhe tha se punonte për një gazetë të Kosovës. Porta, i cili duket se nuk kuptoi gjë, iu përgjigj: “Lista përfundimtare s’do të ketë deri të dielën”, – tha. “Por, mos e shkruaj, se kush e duron Sali Berishën”. Biseda ishte një shok i vërtetë. Porta, një punonjës fanatik kundër opozitës, në të vërtetë dekonspiroi skenën reale se ç`do të bëhej me listat.“
Ky rrëfim dëshmon pa asnjë ekuivok se misioni i OSBE-së ishte palë me pushtetin, thjesht po përpiqej të bënte të pranueshëm vjedhjen duke vënë në raport edhe ndonjë vërejtje të opozitës. Ky në fakt ishte themelimi i një tradite që vazhdon prej 20 vitesh sipas së cilës kemi të bëjmë me “zgjedhjet më të mira e të pranueshme”.
Në këtë kuptim krejt pajtohem me deklarimin e Taulant Ballës “Zgjedhjet më të mira prej 30 vitesh”. Këto zgjedhje kishin një manipulim cilësor inxhinierik që as mund të krahasohej me diletantizmin e vitit 2000. Tani zgjedhësit nuk hiqen nga listat, komisionerët sillen mirë, bien dakort për gjithçka. Tashmë manipulimi ndodh shumë larg kutive të votimit, madje edhe larg ditës së zgjedhjes. Si mundet të mos e konstatojmë këtë evoluim cilësor?
Por themelimi i kësaj tradite ka filluar qysh në vitin 2000. Ja sa me vërtetësi e plot pezm e përshkruan Baze këtë fakt:
“Zgjedhjet ishin një shembull i shëmtuar sesi manipulimi mund të bëhej i pranueshëm dhe të triumfonte duke devijuar rezultatin dhe duke penalizuar një forcë të madhe politike. Ky ishte transformimi më i rrezikshëm që kishte pësuar një proces zgjedhor në Shqipëri që nga viti 1991. Ajo që kishte ndodhur në vitin 1996 kishte qenë brutale dhe flagrante dhe si e tillë, e patolerueshme. Ky ishte një manipulim i frikshëm, pasi ishte shpallur i pranueshëm. Institucionet ndërkombëtare, me kujtesë ende të freskët nga viti 1997, i ishin gëzuar realisht këtij rezultati dhe nuk i ishin trembur aspak krijimit të një tradite të re, dërrmuese për demokracinë e brishtë shqiptare.”
Ndërsa rekomandimet e OSBE-së për të ardhmen e zgjedhjeve më kujtuan përsëri një pjesë nga libri i mësipërm:
“Si për ta bërë dhe më tragjikomike situatën, kryeministri Ilir Meta publikoi një deklaratë më 3 tetor, se gjatë takimit me ambasadorin Ahrens ishte rënë dakord që dhe zgjedhjet parlamentare të 6 qershorit të vitit të ardhshëm të ishin “të mira” si këto zgjedhje.”
Kemi 20 vjet në të njëjtin qerthull, zgjedhje të pranushme ose “zgjedhje Shqipërie”…/GazetaExpress