Drejtuesi i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka reaguar pas takimit Rama-Vuçiç-Zaev, duke i konsideruar marrëveshjet trepalëshe të nënshkruara në Shkup si “Jogosllavia e Re”.
Ish-kandidati për deputet në Tiranë, e konsideron Edi Ramën një kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. “Me këto nënshkrime Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit”, shkruan Abazi në rrjetet sociale.
Deklarata e plotë
108 vite nga Konferenca e Londrës te marrëveshjet e “Jugosllavisë së Re”. Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike, që populli shqiptar e vuan sot e këdaj dite. Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko-tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit” (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen).
Nënshkrimet e Edi Ramës, sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist, me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin. Me këto marrëveshje Rama tenton të sabotojë përpjekjen për ta vendosur Serbinë para drejtësisë për krimet dhe gjenocidet që ka kryer ndaj kombit shqiptar, duke i pastruar imazhin ndërkombëtarisht dhe duke ia normalizuar politikat agresive një Serbie që nuk kërkoi kurrë falje. Me këto nënshkrime, Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit. Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!