Historiani Jusuf Buxhovi e quan antihistorike marrëveshjen e Shkupit të nënshkruar të enjten midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të shpalosur me nismën “Open Balkan”.
Në një intervistë të shkurtër për KALLXO.com, Buxhovi ka theksuar mes tjerash se nismat e tilla, nuk mund të kenë kurrëfarë të ardhme dhe se kjo nismë është e dëmshme dhe e rrezikshme një të njejtën kohë.
Buxhovi në këtë intervistë ka komentuar edhe qëndrimet në një linjë të kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, se e kaluara duhet lënë mbrapa dhe se duhet shikuar nga e ardhmja.
Ai ka shtuar se shteti i Kosovës, nuk duhet të pranojë formulën “Open Ballkan”, ngaqë siç thotë Buxhovi ajo nuk paraqet tjetër pos rikthimin e strategjisë së njohur të shekullit të kaluara “Ballkani Ballkanasve”, ku Serbia do të jetë mbikëqyrës i të gjitha proceseve në të dhe në raport me fuqitë e mëdha.
Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me shkrim me historianin Jusuf Buxhovi:
Pyetje: Z. Buxhovi, si e komentoni deklarimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si mund të lihet e kaluara mbrapa më gjithë realitetin e luftës së fundit në Kosovë dhe mosndëshkimin e krimeve të forcave serbe në Kosovë? – Pse janë në një linjë qëndrimet e tyre për të kaluarën në rajon?
Jusuf Buxhovi: E kaluara, pa marrë parasysh pasojat, ndodh që në politikë të anashkalohet dhe madje të përjashtohet për qëllime pragmatike që edhe mund të arsyetohen në forma të ndryshme qoftë edhe me formulën e “e bashkëpunimeve ekonomike” dhe të tjerave që lidhen me modelet e integrimeve europiane, paçka se brenda për brenda tyre fshihen edhe qëllime të caktuara dhe interesa të njëanshme, që lehtë mund të manipulohen me nisma të tilla. Megjithatë, kur shtrohet pyetja rreth qëndrimeve identike të presidentit serb Vuçiq dhe atij shqiptar Rama, në rastin konkret, përvoja historike dhe sjellja diplomatike ndihmon për t’u kuptuar konteksti i pragmatizmit për interesa të caktuara, siç janë ato të Serbisë, që nismat europiane, të shfrytëzohen për t’u promovuar si faktor rajonal, një si “nyjë ballkanike” që ndikon edhe raportet politike brenda gjeostrategjisë së fuqive të mëdha edhe në rrethanat kur as irevizibiliteti historik nuk mund të ndihmojë që të përjashtohen realitetet politike të kohës, ku shteti i Kosovës shfaqet si faktor i pakapërcyeshëm, ndërkohë që Serbia mbetet me hipotekat e shtetit që në vitet 1991-1999, ka kryer gjenocide në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Pra, në përputhje me këto realitete politike, sjellja e Vuçiçit dhe Ramës, është antihistorike, meqë mbështetet mbi realitetet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe të logjikës shtetërore që krijoi ajo në dobi të hegjemonizmit serb dhe në dëm të çështjes shqiptare ku gjysma e etnisë së saj mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar me tretmanin e “etnisë fetare” të destinuar për shpërngulje dhe asimilime, siç ndodhi në të vërtetë në përputhje me programet e Çubrilloviqit dhe të Qosiqit. Por, shteti shqiptar që doli edhe nga Konferenca e paqes e Parisit, ndoqi “logjikën shtetërore” në raport me Beogradin dhe Athinën, duke sakrifikuar popullatën e mbetur jashtë kufijve shtetëror. Njëjtë veproi edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur anuloi edhe vendimin e Konferencës së Bunjave dhe jo vetëm që u pajtua që Kosova të aneksohet nga Serbia, por veproi që, në emër të idealeve ideologjike dhe me parullën e vëllaznim-bashkimit, të shkrihet në federatën jugosllave, që edhe do të ndodhte po mos të ishte Stalini që ndali krijimin e një Jugosllavie të madhe nën firmën e “aleancës ballkanike”. Pra, duke iu referuar ngjarjeve historike, ajo që ndodhi në Shkup, nuk paraqet tjetër pos ecurinë e njohur që shteti shqiptar e ka ndjekur nga viti 1921 e këndej, veçmas në vitet 1944-1948, duke iu nënshtruar ekonomikisht dhe politikisht Beogradit. Rama, në përputhje me modelet e së kaluarës, pranoi karremin e Vuçiçit për “bashkëpunim ekonomik” në frymën europiane, ngjashëm me reinkarnimin e parullës së njohur të N. Pashiqit “Ballkani Ballkanasve”, që nuk do të thotë tjetër pos “Ballkani nën ndikimin e Beogradit”, si një pozicion që duhet të hyjë në kombinatorikën e fuqive të mëdha rreth “integrimeve” dhe aleancave të mundshme. Kjo logjikë antihistorike dhe antishqiptare njëherësh, sakrifikon shtetin e Kosovës, gjë që si prirje, nuk është as e panjohur e as e re, ngaqë ajo ka filluar të rikthehet prej vitesh gjithnjë nën parullën e një marrëveshje “historike” shqiptare-serbe, “të pajtimit”, që mund të sjell edhe “bashkimin kombëtar” (nëpërmes shkëmbimeve dhe korrigjimeve territoriale), gjithnjë sipas kutit serb me çka i hapën dyert projektit të Serbisë së Madhe! Rama dhe Vuçiçi, në pokerin diplomatik-politik futën kartën që është, në njërën anë, kundër interesave euro-atlantike (ndonëse Shqipëria është anëtare e NATO-s) dhe në tjetrën anë, kundër shtetit të Kosovës, si interes gjeostrategjik dhe gjeopolitik të SHBA-ve, NATO-s dhe perëndimit në përgjithësi. Me këtë veprim, Shqipëria tregoi se ruan vasalitetin politik, ekonomik dhe diplomatik ndaj Beogradit, se edhe në planin kulturor dhe historik pranon kornizat e hegjemonizmit serb, paçka se kjo krijon mundësi për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.
Pyetje: Z. Buxhovi, a mund të ketë sukses kjo nismë e re e proklamuar nga tri vendet e Ballkanit duke pasur parasysh se e njëjta ishte përmendur më herët në atë që quhej “Mini-Shengeni Ballkanik”?
Jusuf Buxhovi: Nismat e tilla, nuk mund të kenë kurrëfarë të ardhme, ndonëse manipulohen me retorikën e “integrimeve europiane” e të ngjashme, ngaqë ngrisin çështje që kundërshtojnë konceptet e tyre themelore. Kështu, i ashtuquajturi “Mini-Shëngen Ballkanik” nën ombrellën e Serbisë, jo vetëm që nuk është në frymën e marrëveshjeve të Berlinit, por në të kundërtën. Sepse, faktorizon Serbinë dhe ekonominë e saj, ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria kthehen në vende vasale prej nga Beogradi krijon bllokun ekonomik dhe politik antieuropian dhe anti NATO. Në këto rrethana, shteti i Kosovës vihet para sprovave të mëdha, meqë përjashtohet nga hapësira ekonomike shqiptare dhe ajo maqedone. Kjo mund të ketë pasoja edhe për Bullgarinë, Greqinë dhe Malin e Zi, ngaqë blloku serb me Maqedoninë dhe Shqipërinë, shkëput Kosovën, Bullgarinë dhe Greqinë nga pjesa tjetër e rajonit dhe BE-ja madje, gjë që destabilizon ekonomikisht dhe politikisht rajonin dhe më gjerë. Pra, nga ky aspekt, kjo nismë është e dëmshme dhe e rrezikshme njëherësh!
Pyetje: Cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës kundrejt këtyre zhvillimeve si dhe ndaj nismës “Open Balkan” specifikisht?
Jusuf Buxhovi: Kosova tashmë e ka të qartë, që si shtet i krijuar me ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, NATO-s dhe Perëndimit për ç’gjë edhe përdori ultima ration, nuk mund të ketë zgjidhje tjetër pos të jetë pjesë e tyre, pra e Perëndimit. Interesat e saj strategjike janë që ta ruajë përkatësinë perëndimore, ta thellojë atë dhe të bëhet pjesë e të gjitha strukturave veri-atlantike, meqë vetëm ashtu mund t’u bëjë ballë planeve djallëzore që vinë nga projektet e njohura hegjemoniste serbo-ruse nga e kaluara, që patën për pasojë tre gjenocide,(1878,1912 dhe 1944), etnocide (shpërngulje për në Turqi) dhe kulturocide (mohimin e identitetit kulturor dhe historik). Shteti i Kosovës, nuk duhet të pranojë formulën “Open Ballkan”, ngaqë ajo nuk paraqet tjetër pos rikthimin e strategjisë së njohur të shekullit të kaluara “Ballkani Ballkanasve”, ku Serbia do të jetë mbikëqyrës i të gjitha proceseve në të dhe në raport me fuqitë e mëdha. Qeveria e Kosovës, siç u shpreh dje, duhet të kundërshtojë çfarëdo marrëveshje të tillë, duke mohuar kategorisht edhe rolin e Shqipërisë në këto nisma. Me këtë rast, shteti i Kosovës, duhet t’i kthehet edhe më tepër kosovocentrizmit, ndërkohë që integrimet shqiptare duhet t’i kushtëzojë me largimin e Tiranës zyrtare nga formulat e njohura të lidhjeve me Beogradin nga ato të vitit 1924 dhe1944. Tiranës zyrtare duhet t’i bëhet me dije se interesi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike që mbikëqyrën nga SHBA-ja dhe NATO dhe assesi ato që përcaktohen nga Beogradi dhe Rusia.//KALLXO.com