Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, duke folur për mediat nga qyteti i Fierit, i ka kërkuar politikës t’i qëndrojë larg institucionit të Kadastrës duke ju referuar pretendimeve të ngritura nga deputeti i zgjedhur në Fier Petro Koçi.
Në lidhje me dosjet në SPAK, Lame tha se ka qenë vetë Kadastra që ka dërguar dosje të cilat kanë nevojë për hetim. Ai tregoi gadishmëri për t’i hapur dyert SPAK për çdo dosje që mendohet se ka parregullsi.
Artan Lame: Procesi i certifikimit të tokës me ligjin e ri po ecën me dyfishin e vitin e kaluar dhe me 7-8 fishin e viteve të mëparshme, në zona fushore sidomos. Njerëzit janë të interesuar. Ndjejmë dhe pjesëmarrjen e njerëzve. Sistemi i adresave është problem dhe i bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë në e-albania. Në zyra apo duke marrë noter.
Pyetje: Si i komentoni akuzat që ka hedhur deputeti i zgjedhur i PS, Petro Koçi?
Artan Lame: “Hedhur akuza” më duket fjalë e rëndë, por gjithsesi. Politika t’i rrijë larg këtij procesi. Të merret politika me vizionin dhe të drejtojë anijen. Motorristi që jemi ne të bëjmë punën tonë. Politika të rrijë larg këtyre proceseve. Unë vetë si drejtor i përgjithshëm i Kadastrës kam çuar dhe po çoj dosje për hetim të mëtejshëm. Ka dy kategori dosjesh: ato ku përfshihet mitmarrja, gjoba dhe futja e dorës në xhepin e tjetrit dhe shitblerje të dyshimta regjistrime të dyshimta. Kjo kategoria e dytë kërkon më tepër kohë. Me të dy këto procese po ecim. Le të vijë SPAK të na ndihmojë në këtë proces.