Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajramaj ka ngritur shqetësimin se zjarrfikësit shqiptarë nuk kanë pajisjet e duhura për të luftuar me flakët, si këpucë, xhaketa apo pantallona.
Në një intervistë ditën e sotme për Fax News, ku ka folur për situatën e zjarreve në vend, ai ka thënë se zjarrfikësit kanë pasur probleme edhe me mospagimin e orëve shtesë të punës.
“Këto janë problematika që janë ngritur edhe më përpara nga ne. Janë bëra disa mbledhje me urdhër të Ministrit të Brendshëm, dhe janë parë si problematika, por për të bërë diçka të mirë duhet dhe koha e vet. Flasim për përgatitjen e zjarrfikësve. Nuk kanë pajisjet e duhura, duke filluar nga këpucët, pantallonat dhe xhaketat. Nuk i kanë fiks për zjarre në pyje. Duhen kambale që mos ta shpojë as gozhda dhe të jenë zjarrduruese. Nuk i kanë këto kushte dhe po hipin në mal. Vështirësia është shumë e madhe. Themi se zjarfikësit kanë çanta shpine me ujë. Zjarri fiket me helikopter, ndërsa zjarrfikësit me çanta shpine fikin vatrat jo zjarrin”, theksoi ai.
I pyetur për problematikën e orëve shtesë të punës që nuk i janë paguar zjarrfikësve, Bledar Bajramaj deklaroi se kjo është një problematikë vetëm në Vlorë, aty ku zjarrfikësit janë paguar vetëm për 40 orë nga 300 orë pune shtesë që kanë kryer.