Edi Rama po shfaqet gjithmonë më i acaruar dhe i hallakatur në lidhje me çështjen e strehimit të afganëve pas një kërkese të bërë nga SHBA.
Ndërkohë që askush nuk është kundër ndihmës që vendi ynë po jep për ata që mund të persekutohen nga regjimi ekstremist i talebanë i sapo rikthyer në pushtet në Afganistan, kryeministri ynë shpik ‘armiq’ dhe lëshon rrufe, kundër atyre që thjesht po i kërkojnë transparancë.
As vetë nuk e di se sa afganë do vijnë, kur do vijnë dhe si e ku do të sistemohen. Por nga ana tjetër bën si ‘lider global’, duke dhënë deklarata kontraditore në vetë të parë.
Këtë të mërkurë sërish ka lëshuar një cicërimi nervoze në Twitter, në formë halucinacionesh.Thotë se ai nuk po i merr afganët për hir të SHBA e NATO-së, por sepse ashtu mendon dhe ka vendosur ai.
‘Shqipëria po e bën atë jashtë përgjegjësisë së saj si një vend #NATO dhe për shkak të asaj që jemi’, shkruan Rama.
Por duhet ti kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, deklaronte tjetër gjë.
‘Mirëpo përtej moralit në vetvete të kësaj fabule njerëzore, ca shqipo mendjefikur e harrojnë se ne jemi kahera aleatë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm kur na duhen për hallet tona, siç na u deshën bombat e tyre për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik i Sllobodan Millosheviçit; siç na u desh zëri i tyre i superfuqishëm për ta hapur rrugën e pavarësisë së Kosovës apo për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO; siç na duhet gjithnjë mbështetja e tyre për të forcuar pozitat tona kombëtare e shtetërore, po edhe kur ne u duhemi atyre ndonjëherë, jo për t’i shpëtuar ata siç ata na kanë shpëtuar ne në kthesa historike, por për t’u gjendur në krah të tyre kur edhe ata, ja që ndodh, kanë nevojë për diçka të vogël prej nesh’, shkruante Rama në një postim të gjatë me rastin e ‘çështjes afgane’.
Edhe minstria e tij e Jashtme, Olta Xhaçka ndryshe nga sa thotë Rama i datës 18 gusht, se nuk po i marrim afganët për hir të SHBA e NATO, deklaronte se po ‘ju qëndrojmë në krah aleatëve tanë’.
Por ditën e sotme Edi Rama është gdhirë ndryshe.
Duket se nuk i ka pëlqyer analiza e shumë politologëve dhe analistëve të cilët e shpjegojnë ‘vrullin’ dhe ‘vetë-ofrimin’ e Edi Ramës për të marrë afganë në një kohë që edhe shtete të fuqishëm anëtare të NATO, po mendohen nëse duhet ta hedhin këtë hap.
Kjo analizë shpjegon servilizmin pa kushte të tij kundrejt SHBA në shkëmbim të mbylljes së njërit sy, veçanërisht nga ambasada këtu, për qeverisjen klepto-kriminale që ai ka instaluar.
Është analizuar nga ana tjetër, edhe gadishmëri dhe empatia e popullit shqiptarë për të strehuar me të drejtë afganët që ju rrezikohet jeta nga talebanët në atdheun e tyre.
Por është kritikuar gjithashtu personalizimi, mungesa e transparencës dhe qëllimet diabolike për pushtet personal, me të cila po luan Rama në këtë çështje.
Është analizuar edhe empatia dhe humanizmi i shtirur i Ramës për afganët, por nga ana tjetër i është vënë në dukje mungesa e ndjeshmërisë ndaj vetë shqiptarëve të varfër, të cilët ai duhet ti mirë-qeverisë duke i bërë të ndihet të dinjitetshëm në atdheun e tyre.
Ku e ka ndjeshmërinë që ka për afganët, ndaj atyre që i ka lënë pa strehim edhe 2 vite pas tërmetit?!
Ndaj atyre shqiptarëve që i mbyste me gaz lotsjellës pa mëshirë, kur protestonin kundër tij apo shembjes së shtëpive.
Ndaj atyre qindra-mijëve që njësoj si afganët që arratisen sot prej talebanëve, janë arratisur nëpër botë nga kjo lloj Shqipërie që ka bërë ai.
Sot në qytetin e Korçës nis edhe ‘Festa e Birrës’ ku pas pak ditësh do të performojë, Goran Bregoviç, me këngët e tij ‘të dasmave dhe funeralëve’.
Ato këngë me të cilat paramilitarët e Arkan masakronin gra, pleq e fëmijë të Kosovës. Ai artist ‘kozmopolit’ që këndoi kundër bombardimeve të NATO për të ndalur vrasjet dhe genocidin në Kosovën shqiptare.
Ai që nuk tha një fjalë kundër masakrave ndaj gjakut tonë në Kosovë, por përkundrazi e pyeste nazistin Karaxhiç; Si po shkon çështja jonë?
Tani kemi dy Edi Ramë. Njëri që për Bregoviçin na thotë se muzika, arti nuk duhen përdorur për politikë. Kurse tjetrin, që po e përdor ‘çështjen afgane’ për politikë të brendshme dhe për pushtetin e tij personal.
Kemi një Edi Ramë që për afganët na përmend ‘besën e shqiptarit’, traditën, mikëpritjen dhe hallet që kemi kaluar ne në kurbet dhe nga ana tjetër, kemi mikun e Vuçiç e të Bregoviç që na thotë; ‘të harrojmë të kaluarën’, të fshijmë memorien e traditën e zezë që kemi me serbët.
Na flet për traditë shqiptare kur i duhet të pëdorë ‘çështjen afgane’, por harron se na ka folur për kozmopolitizëm kur i duhet ‘Ballkani i Hapur’ dhe provokimi me Goran Bregoviçin.
Pra kemi Edin e Vuçiç, Ramën e afganëve…po kryeministri Edi Rama i shqiptarëve ku është?!
© SYRI.net