Nga Blerina Gjoka
Në një komunikim live nga facebook-u me një buzëqeshje triumfale, Evis Kushi, ministrja e radhës e Arsimit, komunikoi një vendim që prek jetën e afro 400 mijë fëmijëve që ndjekin arsimin parauniversitar. Ajo me lehtësinë që një laps firmos në një letër e shtyu fillimin e vitit të ri shkollor me dy javë të tjera, ose e thënë më saktë e çoi në fund të shtatorit. Kur të gjithë prisnin që shkolla t’i kthehej traditës së hershme të 1 shtatorit, si data simbol e luleve dhe uniformave të bukura që popullojnë godinat e vjetra të shkollave, Kushi vendosi ta çojë këtë datë më 27 shtator, ose le të themi në Tetor më mirë.
Pra, zonja ministre vendosi t’i lërë fëmijët në shtëpi, para një tablete, ose në shesh-pushimet poshtë pallateve, në vend që t’u hapte dyet e shkollave. Apo, më keq akoma, ua lini në dorë fëmijëve nëse duan apo jo të shkojnë në shkollë deri më datë 27, ku është parë e dëgjuar kjo gjë?!
Si prind po e pyes Ministren e Arsimit; A ka vend më të sigurtë, më të bukur dhe më të dobishëm se sa shkolla për një fëmijë? Pse ua mohon, ose ua bën fakultative, pas 3 muajsh pa asnjë kontakt fizik me shkollën? Si mund ta lësh një fëmijë 4 muaj larg shkollës? Ku e gjeni këtë praktikë në botë? Për të mos folur më tej për faktin që as nuk shqetësoheni fare se ku rrinë, me çfarë e kalojnë kohën këta fëmijë larg shkollës, sa të vështirë e kanë prindërit, që u duhet të punojnë, që të kujdesen për ta në mungesë të një ambienti të sigurtë për ta, siç është shkolla.
Dhe për më tepër e justifikoni këtë vendim me gjoja një anketë që keni bërë “me ju të dashur nxënës”. Mjafton të lexojmë komentet në profilin tuaj në facebook për të kuptuar që kjo anketë minimumi duhej të ishte bërë me prindërit, a nuk janë ata që kanë përgjegjësi ligjore për fëmijët nën 18-vjeç?! Komentet zhgënjyese të prindërve a i lexoni ju zonja ministre? Për be nuk gjeta dot një koment në profilin tuaj që ta mbështesë këtë vendim që keni marrë sot. Për fat të keq në Shqipërinë tonë apatike prindërit nuk e kanë aftësinë e organizimit, të vendimarrjes e të protestës ndaj talljeve të tilla që u bëhet nga shteti me të ardhmen e fëmijëve të tyre. Por e pranojnë kokëulur që për të ardhmen e tyre të mendoni ju, që një ditë të bukur shefi ju thirri në zyrë dhe ju tha; do bëheni ministre arsimi. Ministre, që sot thoni; do hapim dyert e shkollave më 1 shtator dhe nesër gdhiheni dhe thoni; do i hapim më 27 shtator.
As për një datë të fillimit të mësimit nuk jeni e qartë dhe e vendosur, jo më të presim ndonjë reformë a ndonjë iniciativë domethënëse për mësimdhënien. Nëse ju, që jeni në krye të një ministre që e ka drejtuar Ernest Koliqi (ai ministri që hapi qindra shkolla të reja shqipe në Kosovë) nuk e merrni seriozisht shkollën, si mund të presim ne që ta marrin seriozisht fëmijët tanë?!