Kosova është e gatshme për pranimin e qytetarëve që do të evakuohen nga Afganistani, mirëpo koha e saktë e ardhjes së tyre nuk dihet ende. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për kanalin televiziv britanik, Skynews se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së këtyre personave në Kosovë.
“Është vetëm çështje ditësh. Do të varet sigurisht në atë sesi do të organizohet transportimi i tyre, sepse procesi organizohet nga Shtetet e Bashkuara. Ne do ta dimë [kohën e ardhjes së tyre] ndoshta deri në fund të kësaj jave”, ka deklaruar ajo. Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja Osmani ka deklaruar se po punojnë në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.
“Ne veçse jemi gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Tani ne po i rrisim kapacitetet që të mund të pranojmë më shumë [refugjatë]. Prandaj nuk mund të përmend numrin final [të refugjatëve që do të vijnë] derisa të përfundojë studimi i secilit lokacion që mund t’i pranojmë ata në Kosovë”, ka deklaruar Osmani. Sipas saj, pesë qytetarë kosovarë deri më tani janë evakuuar nga Afganistani dhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka vënë në dispozicion linja telefonike për qytetarë tjerë që mund të kenë nevojë për evakuim nga atje.
Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës – përfshirë edhe në Kosovë – derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.
Nga shtetet e rajonit edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë shprehur të gatshme që të strehojnë afganët që kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së, të NATO-s dhe që kanë punuar për organizata të huaja./REL