Nuk i ndali pandemia: 600 mijë pelegrinë drejt Teqesë së Kulmakut në Tomorr…

0
215
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe mbarë bota, kanë pushtuar malin e Tomorrit. Arrin në 600 mijë numri i pelegrinëve në ditët e pestë të festës. Pelegrinët: “Vijmë çdo vit në mal për t’u lutur për paqe e mirësi në familjet tona. Kryejmë ritet e festës e bëjmë kurban”.

 Nga SYRI TV.

Ka shkuar në 600 mijë numri i pelegrinëve që janë bërë këtë vit pjesë e peligrinazhit në malin e shenjtë të Tomorrit. Të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por edhe nga shumë vende të botës, pelegrinët pasi kanë kaluar një natë në malin e Tomorrit, kanë kryer edhe ritet e kësaj feste. Pelegrinët janë ngjitur si çdo vit në malin e Tomorrit, për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit që janë: Tyrbja dhe Teqeja të cila ndodhen në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë.

Sipas traditës, peligrinët mbërrijnë në pikën më të lartë të malit Tomorr, ku në një teqe të vogël prehet shenjti Abaz Ali, vëllai i gjetur i profetit Muhamet. Me mbërritjen e tyre në mal, pelegrinët ngrenë çadrat në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Edhe pse mendohej se pandemia do t’i frenonte pelegrinët këtë vit për t’u bërë pjesë e këtij peligrinazhi, që prej datës 19 që u shënua edhe nisja e pelegrinëve të parë drejt malit, numri i tyre deri më sot, në ditën e pestë të peligrinazhit, ka arritur në rreth 600 mijë, ndërkohë që festimet do të përfundojnë të mërkurën në mbrëmje.

Çdo pelegrin që bëhet pjesë e kësaj feste, kryen në mal ritet shumëshekullore të besimit bektashian për festën e Abaz Aliut, ku përfshihen ndezja e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimi i të hollave pranë objekteve të kultit dhe flijimi e një deleje apo qengji, mishi i të cilit piqet në hell dhe ndahet ndërmjet peligrinëve. Vetë pelegrinët që u bënë këtë vit pjesë e kësaj feste, shprehen se, ata vijnë çdo vit në Malin e Tomorrit, për të adhuruar shenjtin e tyre Abaz Ali, për të kryer ritet fetare dhe për t’u lutur për më shumë paqe, mirësi dhe begati në familjet e tyre. Duke deklaruar se, ata marrin çdo vit bekime nga ky vend i shenjtë, pelegrinët urojnë njëri-tjetrin për më shumë mirësi e lumturi në çdo familje. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ka deklaruar nga Teqeja e Kulmakut se fluksi i madh i pelegrinëve drejt malit të Tomorrit ishte i pabesueshëm këtë vit,në kohë pandemije. “Këto ditë janë të gjitha ditë të shënuara se ne kalojmë nga një agjërim dhjetë-ditor për dëshmorët e Qerbelasë që ranë në fushën e betejës. Ishin 72 veta që dhanë jetën, bashkë me Imam Hysenin dhe Abaz Aliun, që ka qënë flamurtari i asaj beteje. Në këto dhjetë ditë ne mësuam vuajtjet e profetëve, nga Ademi tek Muhameti e deri tek Qerbelaja e Imam Hyseni e të gjithë me radhë, ata dhanë jetën për të mbrojtur të vërtetën.

Pas festës së Ashures ne jemi këtu në këto ditë të shenjta në Kulmak, ku mendohet që Abaz Ali ka fluturuar sipas legjendës dhe  lutemi e bëjmë kurban. Këtu njerëzit marrin uratë dhe bekime për të përballuar vështirësitë që kanë në jetë. Këtë vit, kanë ndryshuar disi ambjentet e vendit të peligrinazhit, kemi përmirësuar infrastrukturën, kemi krijuar kushte më të mira dhe ka shërbim të shtuar sanitar. Në këto ditë të vështira të pandemisë, falenderojmë të gjithë ata që janë në krye të detyrës dhe i shërbejnë të sëmurëve, zoti i bekoftë dhe u dhëntë forcë” – ka thënë Baba Mondi, që e ka mbyllur fjalën e tij me urimin: “Të gjithë shqipëtarëve kudo ndodhen, të kenë dashuri dhe paqe në familjet e tyre. Qofshin dritë, zoti na bekoftë të gjithëve”. Për mbarëvajtjen e Peligrinazhit të shenjtë në malin e Tomorrit si dhe për të siguruar respektimin e protokolleve të sigurisë për shkak të Covid-19, Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit ka hartuar që prej datës 19 gusht një plan të detajuar masash,duke shtuar kontrollet dhe efektivët e policisë rrugore përgjatë të dyja akseve që të çojnë drejt Teqesë së Kulmakut në malin e Tomorrit si dhe në vendin ku zhvillohet peligringazhi. Ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorrit përfundojnë në 25 gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datat 22 dhe 23 gusht.

Zjarr Tv Ad