Gjatë ditës së djeshme, Najada Çomo, u shfaq në krah të Ministres Ogerta Manastirliu, jo më si deputete, por si një nga bluzat e bardha që janë në vijën e parë të luftës me Covid-19. Por, kjo është paligjshme dhe Çomo po demonstron se postin e shefes së Infektivit, e ka “marrë peng”.
Najada Çomo, një nga dy prurjet e reja të Kryeministrit Edi Rama, në Zgjedhjet e 25 Prillit, u “rrëzua” nga piedestali një ditë më parë, teksa vetë kreu i Qeverisë, tha se ajo do të rikthehej në krye të spitalit Infektiv. Rama përdori si argument fluksin e të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë dhe rritjen e numrit të pacientëve të shtruar në spitale, teksa shtoi se ishte mjaft i prekur nga fakti që vetë Çomo, ishte vetëofruar për të kthyer në krye të luftës me pandeminë, pas futjes së variantit Delta në vendin tonë.
“Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i depututes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. Çomo do të vazhdojë punën në spital”, tha Rama.
Një ditë më pas, Çomo u shfaq në krah të Ministres Ogerta Manastirliu, jo më si deputete, por si një nga bluzat e bardha që janë në vijën e parë të luftës me Covid-19. Por, kjo është paligjshme dhe Çomo po demonstron se postin e shefes së Infektivit e ka ‘marrë peng’. Najada Çomo rezulton të jetë ende deputete ligjërisht, pasi mandati nuk dorëzohet tek Kryeministri Edi Rama, por tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjë që deri më tani nuk raportohet të jetë bërë.
Kjo është vetëm një prej arsyeve që e bën të paligjshëm kthimin e Çomos në radhët e mjekëve. Arsyeja e dytë është fakti se ajo duhet të ishte tërhequr nga kjo detyrë që nga momenti që fitoi mandatin e deputetes, për t’i lënë radhën dikujt tjetër. Rrjedhimisht, edhe nëse sot Çomo do të donte të rikthehej në profesion, do të ishte vartëse e një tjetër shefi apo shefeje Infektivi që do të ishte zgjedhur, sipas një procedure që duhet respektuar.