Edhe pse asnjëri prej të dyve nuk e pranon, Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, u vunë përballë njëri-tjetrit sot, për shkak të pozicioneve që u besoi apo i lëvizi kryeministri Edi Rama. Teksa i ka zënë vendin Ballës në krye të sekretariatit të përgjithshëm dhe në qarkun e Elbasanit, Gjiknuri e mirëpriti detyrën e re.
Ai i kujtoi Ballës dhe të tjerëve se në fillim të karrierës ka qenë i zgjedhur në qarkun e Elbasanit, e madje të dy kanë bërë fushatë në të njëjtin qytet. Ishte Balla më herët, ai që gjatë një bisede me gazetarët tha se në Elbasan nuk bie tërmet, një shprehje e famshme kjo e Gjiknurit.
“Unë e vlerësoj punën që ka bërë Taulanti, të dy kemi qenë deputet në Elbasan, pasi dhe unë aty e kam nisur kandidimin si deputet. Është një sfidë e madhe sidomos me vizionin që paraqiti kreu i Partisë. Do të bëj punën e mirë të nisur derimë tani, pasi PS është konfirmuar si forcë fituese në Elbasan. Është një sfidë e mirëpritur, unë kam pasuir lidhjet e mija me Vlorën, dhe kam arritur rezultatin më të thellë, do vazhdoj të bëj më të mirën. Pozicioni i drejtimit të qarkut, është e mirëpritur”, u shpreh Gjiknuri.
As Balla dhe as Gjiknuri, nuk ishin në listën e të besuarve të Ramës për të qenë ministra, ndërkohë që thanë edhe publikisht se kjo nuk ishte ambicia e tyre.