Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, është goditur me gurë nga protestuesit në një ndalesë që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.
Ai ka qenë duke u kthyer në autobusin e tij, pasi ka vizituar një fabrikë të birrës, kur është goditur me gurë, ndonëse nuk është plagosur.
Trudeau ka shpallur zgjedhje të parakohshme në mesin e muajit gusht, me shpresën se mund të krijojë shumicë qeveritare me Partinë e tij Liberale të qendrës së majtë.
Por fushata e tij është penguar nga protestat kundër planeve për vaksinim të detyrueshëm dhe kufizime tjera kundër Covid-19.
Vetëm një javë më parë, kryeministri kanadez është detyruar të anulojë një takim zgjedhor, pasi protestuesit e zemëruar e kanë penguar ngjarjen.
Planet e kryeministrit kanadez për vaksinim të detyrueshëm janë kthyer në çështje kyçe para zgjedhjeve parlamentare të 20 shtatorit, shkruan REL.
Muajin e kaluar, Qeveria ka vendosur që të gjithë shërbyesit civilë, përfshirë punëtorët në sektorët federal, duhet të vaksinohen deri në fund të muajit tetor, apo dhe rrezikojnë të humbin vendet e punës.