Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, është goditur me gurë të vegjël nga protestuesit në një ndalesë që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore. Ai ka qenë duke u kthyer në autobusin e tij, pasi ka vizituar një fabrikë të birrës, kur është goditur me gurë, ndonëse nuk është plagosur.
Trudeau ka shpallur zgjedhje të parakohshme në mesin e muajit gusht, me shpresën se mund të krijojë shumicë qeveritare me Partinë e tij Liberale të qendrës së majtë. Fushata e tij është penguar nga protestat kundër planeve për vaksinim të detyrueshëm dhe kufizime tjera.
Vetëm një javë më parë, kryeministri kanadez është detyruar të anulojë një takim zgjedhor, pasi protestuesit e zemëruar e kanë penguar ngjarjen. Planet e kryeministrit kanadez për vaksinim të detyrueshëm janë kthyer në çështje kyçe para zgjedhjeve parlamentare të 20 shtatorit.
Muajin e kaluar, Qeveria ka vendosur që të gjithë shërbyesit civilë – përfshirë punëtorët në sektorët federalë, duhet të vaksinohen deri në fund të muajit tetor, apo rrezikojnë të humbin vendet e punës. Aktualisht, Kanadaja ka një prej shkallëve më të larta të vaksinimit në botë.