Kryebashkaiku i Tiranës, Erion Veliaj, i pyetur nëse do të garojë për një mandat të tretë si kryetar bashkie, u shpreh se do ta bënte me shumë pasion dhe kënaqësi nëse PS do t’ia jepte besimin. Përsa i përket marrëdhënies së tij me Edi Ramën, ai tha në “Real Story” se ka një raport shumë special, teksa shtoi se në zgjedhjet e fundit u afruan edhe më shumë.
PJESË NGA INTERVISTA
PYETJA: Do të kandidoni për një mandat të tretë?
VELIAJ: Nëse Partia Socialiste ma jep besimin dhe tashmë kam filluar të mendoj se çfarë mund të jenë gjërat që mund të bëjmë në një mandat të tretë, do ta bëja me shumë pasion dhe me shumë kënaqësi si këto dy mandate.
PYETJA: Ky mandati tretë dikush mund të thotë që më shumë se sa shpërblim nga PS mund të jetë ndëshkim nga Rama?
VELIAJ: Shiko nuk e di se çfarë thonë njerëzit. Ndonjëherë është mirë që vij në emisione se marr dhe jehonën e muhabeteve të Tiranës. Nuk e di a kanë dy njerëz në politikë një raport më special seç kam unë me Edi Ramën. E kam përdorur mish e thua herën e fundit, në këto zgjedhje u afruam dhe më shumë. Kishim kontakt akoma më të shpeshtë për shumë vendime që duhet të merrnim, strategjia na funksionoi. Ne shkuam nga 200 mijë në 227 mijë vota në Tiranë në mandatin e tretë. Pra jemi rritur 13% mbi peshën tonë. Në mandatin e tretë ishte rezultat shumë i kënaqshëm. Nëse siç Saliu mundohej me diversionin shpresa e tyre e fundit është që unë dhe Edi Rama të kemi debat që të kthehet epoka e gjumit në Tiranë janë të pashpresë.