Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjatë seancës plenare ditën e sotme, ka kundërshtuar vendimin e Konferencës së Kryetarëve, që mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të bëhen online.
Sipas Alibeajt, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në vend, nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme, prandaj duhet të kthehemi në normalitet dhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të zhvilohen në zyra.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij Alibeaj, i bëri thirrje qeverisë që të vendosin ligjin për vaksinimin e deputetëve, ose në të kundërtën në çdo mbledhje ata të paraqesin rezultatet e testit. “Çështja është shumë e thjeshtë, bëhet fjalë për mënyrën si do të zhvillohen punimet në komisionet parlamentare. Njëri në kafe tjetri në plazh, tjetri në makinë tjetri me gotën e rrakisë dhe askush nuk merrte vesh nga publiku, se çfarë ishin duke diksutuar dhe votuar. Cilat nga interesa të publikut po mbronin.
Qeveria thënë që pandeminë e kemi kalaur me sukses. E në fakt baret sot i ke plot, fëmijët në shkolla shkojnë, pse u dashka vetëm komisionet parlamentare aty ku diskutohet në mënyrë më të detajuar, u dashkan të bëhen online.
Pse u dashka që gjithë publiku, njerëzit nëpër shkolla, në koncerte madje, për ata nuk paska problem dhe vetëm për ne deputetët u dashkemi mbrojtur në komisione parlamentare për shkak të pandemisë. Për këtë arsye ne do duhet atë vendim të marrë më parë të shfuqizohet dhe të kthehemi në normalitet në veprimtarinë e komisioneve. Ne nuk duam që jeta e askujt të vihet në rrezik, por a nuk jemi ne në valën e vaksinimit, atëhere le të dalë ligji deputetët të vaksinohen. Deputetët të vaksinohen, ose të paraqesin në mbledhje rezultatet e testit”, tha Alibeaj.