Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin e serbëve në Zveçan dhe në Zubin Potok, ku është djegur Qendra për Regjistrim të Automjeteve.
Në një deklaratë për mediet Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku në Zveçan është konstatuar një xham i thyer i objektit, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, si dhe dy granata dore, të cilat fatmirësisht nuk kanë shpërthyer.
Ekipi i Forcave Speciale asgjesuan dy granata dore në Zveçan, ndërsa janë duke vijuar hetimet për ngjarjen e mësipërme.
Njoftimi i policisë së Kosovës:
Me datë, 25.09.2021, rreth orës 08:45, u pranua informata se në ndërtesën “INTEL” në
Zveçan, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit është thyer dera.
Në vend ngjarje ka dal njësiti patrullues nga (SP) Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur.
Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili cilësoi rastet si vepra penale “Posedim, kontrollim i pa autorizuar i armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm“
Lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar.