Në çdo rast që Edi Rama përballet me çështjen e Kosovës apo rajonit tonë, ai demonstron hapur tendencat pro-serbe dhe fobinë ndaj Kosovës apo injorimin e interesit kombëtar.
Gjatë vizitës së djeshme të E. Ramës në Kosovë, natyrshëm çështja kryesore e axhendës ishte situata e rëndë provokative e Serbisë në kufirin me Kosovën. Edi Rama nuk guxoi ta denonconte në Prishtinë, A. Vuçiçin se po provokon dhe po përgatit destabilitetin në rajon. Edi Rama u kujdes t’i ngjyrosë rozë aktet e rrezikshme dhe agresive të A. Vuçiç, të cilat injektojnë urrejtje dhe i fryjnë nxitjes së l*uftës mes popujve.
Edi Rama nuk u ngrit as në nivelin e shqetësimit dhe deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO. Imagjino që Shqipëria është dhe vend anëtar i NATO-s, përveç të tjerave. Edi Rama i cilësoi thjesht sjellje teatrale rreshtimin e tankeve dhe blindave serbe në kufirin e Kosovës dhe fluturimet a*rmiqësore të avionëve serb mbi atë kufi.
Kësisoj, Kryeministri i Shqipërisë e konsideron argëtim rekreativ (siç është teatri) prezencën dhe deklaratat e ambasadorit rus (d.m.th Rusisë) përkrah tankeve e avionëve serb në kufirin e Kosovës. A e di Edi Rama se çfarë situatash psikologjike dhe institucionale ngjallin këto akte të rënda provokimi ushtarak tek qytetarët dhe shteti i Kosovës, të cilët i kanë ende të pambyllura plagët e masakrave të luftës dhe gjenocidit serb mbi popullatën e pambrojtur civile atje? A e kupton dot Edi Rama se çfarë urrejtje nxisin këto akte ag*resive tek popullata serbe ndaj shqiptarëve?
Edi Rama e konsideron këtë situatë provokuar nga A. Vuçiç thjesht një teatër (në teatër njerëzit shkojnë për kënaqësi e rekreacion). WTF! Askush nuk priste e nuk kërkon që Edi Rama të nxiste më tej urrejtjen e as të shpallte gatishmëri për luftë nga Shqipëria, por Edi Rama as nuk guxon e as e ndjen që të dënojë aktet provokative dhe l*uftënxitëse të A. Vuçiç. Në vend që Shqipëria të ndërmarrë çdo hap për izolimin politik e diplomatik të A. Vuçiç dhe të mbyllë të gjitha lehtësirat tregtare që E. Rama i ka siguruar Serbisë në territorin dhe portet shqiptare, ky i fundit vijon të vetëpërdoret si gjethe fiku për sjelljet agresive e destabilizuese të Serbisë.
Në një kohë kur Presidenti i Kroacisë, Presidenti i Malit të Zi, anëtarët boshnjak dhe kroat të Presidencës së Bosnje & Hercegovinës, Presidentja e Kosovës, po denoncojnë publikisht e ndërkombëtarisht A. Vuçiç si kërcënues serioz i stabilitetit rajonal e l*uftënxitës, i vetmi avokat i tij mbetet Edi Rama i Shqipërisë. Edi Rama i konsideroi dje nga Prishtina, qytetarët serbë në veri të Kosovës si pengje prej ndalimit të dialogut Kosovë-Serbi, duke vënë shenjën e barazimit në përgjegjësi midis A. Kurtit dhe A. Vuçiç. Me këtë qasje, mund të kuptohet fare mirë se çfarë ndjeshmërie, perceptimi e vlerësimi ka Edi Rama ndaj Kosovës e qeverisë së saj. Ai nuk le rast pa e demonstruar atë!